Shkaqet e aksidentit të autobusit, prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të autobusit të linjës së Unazës, i cili përfundoi në lumin e Lanës.

Çështja është nën hetim nga prokurori Shpëtim Garunja, i cili e ka regjistruar ngjarjen deri tani si kundërvajtje penale, pasi si pasojë e aksidentit kishte vetëm të plagosur lehtë dhe jo viktima. Për këtë arsye nuk është arrestuar dhe asnjë prej drejtuesve të mjeteve. Ndërkohë, pritet ekspertiza e mjeteve nga eksperti autoteknik, e cila do të përcaktojë shkakun e saktë të ngjarjes që mund të kishte rezultuar në një tragjedi.

Nga verifikimet paraprake dyshohet për dy pista. E para për një gabim njerëzor të drejtuesit të autobusit, Muhamet Kyçuku, apo një keqfunksionim elektrik të mjetit. Shoferi 62-vjeçar, sipas burimeve, vijon të insistojë se autobusi nuk i ka funksionuar. Gjithsesi, ekspertiza pritet të zgjasë deri në 20 ditë pasi autobusi është hybrid, çfarë shton më tej vështirësinë e përcaktimit të shkakut.

Autobusi i linjës së “Unazës së re” përfundoi në lulmin Lanë pasditen e të premtes, pasi u aksidentua me një autoveture. Makina përfundoi poshtë rrotave të autobusit në lumë, por fatmirësisht pa viktima. Nga aksidenti mbetën të plagosur lehtë 5 persona.

Akoma nuk është zyrtare, por pritet që autobusi të mos lëvizet nga vendi i ngjarjes pranë kinema “Agimit”, për ta kthyer në instalacion ndërgjegjësues ndaj aksidenteve rrugore./albeu.com