Banorët pas vrasjes së 8-vjeçarit me lopatë bëjnë apel: Vriteni, mos e fusni në burg, 20 vite më parë përdhunoi një vajzë (VIDEO)

Fëmija 8-vjeçar që u gjet i vrarë nga fqinji i tij mbrëmjen e sotme në Fier ishte nisur mëngjesin e kësaj të marte për në shkollë ashtu si çdo ditë tjetër dhe nuk ishte kthyer si zakonisht. Kur ora ka shkuar 15:30 e ëma ka nisur të shqetësohet dhe ka bërë njoftim në polici për zhdukjen e djalit të saj.

Pasi e ka rrëmbyer, Klodian Çalamani e ka vrarë 8-vjeçarin me lopatë dhe më pas e ka mbuluar me baltë në oborrin e banesës së tij. Banorët e zonës janë të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë. Njëri prej tyre tregon se autori jetonte në një godinë që më shumë se si banesë ngjante me një kasolle.

“Sa herë që kalonim. Mua nuk më ka bezdisur. Për të folur fliste si njeri taman. Unë shtëpinë pak më andej e kam. Komunikonte me njerëzit mirë. Nuk më ka thirrur ndonjëherë në banesë. Me njerëzit ishte shumë njeri taman. Pinte pike alkoolike.

Unë sa erdha në shtëpi dhe më thanë familjarët që ka ndodhur kjo gjë. Për të punuar, punonte ku të gjente. Prindërit i janë ndarë. Kishte një shtëpi si kasolle. Në kushte të këqija. Nuk ishte si shtëpi taman. Ishte si godinë e vogël. Ai lëvizte në lagje me biçikletë. Tani kemi frikë se sot ia bëri atij, nesër mund të ma bëjë mua ose ndonjë tjetri”, shprehet ai.

Ndërkohë një tjetër banor shprehet se 20 vite më parë, autori kishte përdhunuar edhe një vajzë.

“Di që është pijanec dhe bëni mirë ta vrisni mos ta fusni fare në burg. Para 20 vitesh ka përdhunuar edhe një vajzë. Normal që kemi frikë se kam vetë vëlla të vogël. Dhe po të ma bënte mua do e vrisja vetë”, thotë ai.