E “premtja e zezë”, euro dhe paundi kapën fundin sot

Euro dhe monedhat e tjera europiane vijojnë të zhvlerësohen në raport me Lekun, ndërsa më e goditura duket të jetë ajo europiane, e cila po humb terren ndjeshëm nga ora në orë.

Banka e Shqipërisë sapo ka publikuar të dhënat nga tregu valutor duke treguar që një euro është këmbyer sot mesatarisht me 105.62 lekë duke humbur 0.77 pikë në raport me ditën e djeshme.

KURRË më parë euro dhe leku nuk kanë qenë në këtë raport, ndërsa duket qartësisht që vendi është kthyer në një lavatriçe të madhe parash të pista duke dekurajuar biznesin dhe punën e ndershme.

Euro në vetvete është duke u zhvlerësuar në tregjet e huaja edhe ndaj monedhave të tjera, por ritmi i zhvlerësimit ndaj Lekut është shumë më i shpejtë duke konfirmuar faktin se problemi kryesor janë pikërisht paratë e pista që po pastrohen masivisht në Shqipëri.

Pikë ndaj Lekut po humbet edhe Dollari Amerikan, i cili sipas BSH-së sot është këmbyer me mesatarisht 98.07 lekë. Ndërkohë, Paundi Britanik këmbehet sot me mesatarisht 122.97 lekë. /albeu.com


Shtuar 9.06.2023 12:30