S’ka më kohë për masa gjysmake, NATO t’i japë Ukrainës gjithçka që i duhet për ta fituar luftën

Nga Diane Francis “Kyiv Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pushtimi i tmerrshëm i Vladimir Putin një vit më parë e befasoi botën, ndërsa pritet një tjetër sulm i ushtrisë ruse afër përvjetorit të parë të kësaj lufte në shkallë të gjerë. Janë mësuar tashmë planet për të hedhur në fushën e betejës 200.000 ushtarë të tjerë rusë në betejën që po zhvillohet në lindje të Ukrainës, në një përpjekje për të mposhtur Ukrainën, për të krijuar një ngërç në fushën e betejës, për të pakësuar numrin e trupave të saj dhe për të dobësuar vendosmërinë e aleatëve.

Por kjo strategji staliniste e “valës njerëzore” nuk do të funksionojë nëse Perëndimi e braktis strategjinë e tij të “zvarritjes së misionit” apo të përshkallëzimit në rritje, dhe i garanton Kievit një sasi të krahasueshme të fuqisë së zjarrit me atë të armikut.

Dhe kjo nënkupton dërgimin e qindra tankeve të tjera për të çarë në linjat e frontit rus, dhjetëra avionë luftarakë dhe mijëra raketa me rreze të gjatë për të bërë kërdinë pas linjave të armikut. Tani nuk ka më kohë për masa gjysmake apo vonesa, sepse Rusia ka teorikisht në dispozicion miliona të rinj të tjerë fatkeq për t’i hedhur në këtë luftë si “mish për top”. Brutaliteti i NATO duhet të jetë i ngjashëm me brutalitetin e ushtrisë ruse. Ky konflikt

nuk do të përfundojë me negociata. Dikush duhet të fitojë dhe dikush duhet të humbasë, dhe vetëm humbja do ta largojë Putinin nga Ukraina. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi në fillim të këtij muaji nga Koreja e Jugut “Nuk po shohim asnjë shenjë se Vladimir Putin po përgatitet për paqen. Përkundrazi”.

Për këtë arsye ka ardhur koha që aleanca e pasur dhe e fuqishme perëndimore të mos i kërkojë më ukrainasve të luftojnë me njërën dorë të lidhur pas shpine. Rusia po përdor në këtë luftë teknologjitë e saj më të fundit. Edhe Ukraina duhet të përdorë teknologjitë më të fundit dhe superiore të Perëndimit.

Nëse jo tani, atëherë kur? Bllofet e Putinit për “vijat e kuqe” dhe kërcënimet bërthamore duhet të vazhdojnë që të injorohen. Ai është dobësuar jo pak vitin e kaluar. Pavarësisht mizorive të shumta rusët nuk kanë pushtuar shumë territore, ndërsa aleatët e tyre Kina dhe India janë distancuar disi nga Moska.

Ndërsa edhe vendet evropiane kanë filluar të shfaqen në lartësinë e sfidës, Uashingtoni mbetet i vendosur, dhe këtë javë aleancës iu bashkua edhe Izraeli duke sulmuar fabrikat iraniane të dronëve dhe raketave që furnizojnë Rusinë. Po ashtu Tel Avivi po mendon të dërgojë teknologjinë e saj “Iron Dome” (Kupola e Hekurt) për të pamundësuar operacionet e avionëve luftarakë rusë në qiejt e Ukrainës.

Një zhvillim tjetër pozitiv, është se brenda 3 muajsh Rusia pritet të harxhojë të gjitha raketat që ka në dispozicion dhe kjo për shkak të problemeve me prodhimin. Por fatkeqësisht, nuk do t’i mbarojë së shpejti ushtarët, edhe pse numri i viktimave po shtohet.

Thuhet se deri tani kanë vdekur mbi 200.000 ushtarë rusë, 100.000 ushtarë ukrainas dhe 30.000 civilë ukrainas. Është kjo arsyeja pse në mënyrë paradoksale, mënyra e vetme për të shpëtuar jetë njerëzish është përshkallëzimi në mënyrë dramatike i ndihmës, në mënyrë që të zhduken sa më shpejt që të jetë e mundur sa më shumë forca dhe armë ruse.

Çdo lloj zvarritje në këtë drejtim, kushton jetë njerëzish. Muajin e kaluar, SHBA dhe NATO u përgjigjën me premtimin për dërgimin e 300 tankeve pas disa muajsh lutje nga Kievi. Kohët e fundit, Uashingtoni ra dakord të dërgojë një bombë me rreze të vogël, e cila u shkakton dëme katastrofike objektiva që ndodhen sa dyfishi i distancës aktuale, që mund të arrihet tani nga arsenali aktual i raketave që ka Ukraina.

Armët e reja mund të godasin të gjitha linjat e furnizimit të Rusisë, si dhe pjesën më të madhe të Krimesë. Por Perëndimi duhet të bëjë më shumë sesa kaq. Ai duhet të dërgojë cdo lloj mjeti që zotëron me përjashtim të armëve bërthamore. Ndaj Francës duhet të ushtrohet menjëherë presion për të dërguar në Ukrainë avionët e saj luftarakë, sepse ky vend ka ofruar më pak ndihmë ushtarake edhe sesa Holanda.

Ish-sekretari amerikan i mbrojtjes Mark Esper doli publikisht në mbështetje të dërgimit të avionëve amerikanë, siç bëri edhe gazeta “The Wall Street Journal” në një editorial të sajin: “Ekipi Biden po kundërshton çdo kërkesë për dërgimin e armëve të reja për Ukrainën, përpara se kjo gjë të ndodhë më vonë.

Le të shpresojmë që presidenti të ndryshojë sërish mendje dhe të ofrojë më shumë mbështetje ushtarake që e ndihmon Ukrainën menjëherë në fushën e betejës dhe më vonë pas përfundimit të luftës. Sistemi raketor taktik i ushtrisë amerikane, ATACMS, ka një rreze veprimi prej 300 km dhe mund të ndihmojnë shumë në sprapsjen e rusëve nga pozicionet. Këto raketa mund të ndryshojnë shpejt situatën në fushën e betejës, dhe t’u japin ukrainasve shansin për të çliruar Krimenë”.

Edhe një raport nga Instituti për Studimin e Luftës, nënvizon se “ngurrimi i Perëndimit për të filluar furnizimin e Ukrainës me sisteme të armëve perëndimore të nivelit më të lartë, sidomos tanke, sisteme raketore me rreze të gjatë dhe avionë, e ka kufizuar aftësinë e Ukrainës për të nisur dhe vazhduar operacione kundërsulmuese në shkallë të gjerë”

Ukraina është e shqetësuar se pushtimi mund të kthehet në një ngërç të gjatë. Një diplomat i tha një gazete se “nëse Moska mund të krijojë iluzionin se ne nuk mund të fitojmë dot në fushën e betejës, atëherë disa nga ‘miqtë’ tanë në Perëndim do të fillojnë ta humbasin entuziazmin e tyre dhe do të fillojnë të na shtyjnë për të arritur një marrëveshje të keqe me pushtuesit”.

Fitorja është opsioni i vetëm, siç e theksoi edhe Presidenti Volodymyr Zelensky në televizionin britanik këtë javë, kur tha se Putin “nuk dëshiron negociata pasi nuk dëshiron paqen”. Në pamundësi për ta gllabëruar Ukrainën, Putini po luan një lojë pasive-agresive për të përjetësuar një “ngërç” të përgjakshëm në fushën e betejës duke përdorur si mish për top trupat ruse të pa trajnuara.

Ai mbetet indiferent ndaj dëmeve që i janë shkaktuar ekonomisë, reputacionit apo perspektivës apo njerëzve të vendit të tij. Kjo është arsyeja pse duhet të rritet presioni për të parandaluar ndonjë ngërç. Ukraina është mbrojtur deri më sot me një “thikë” në një përleshje me armë, por nuk mund të vazhdojë ta bëjë këtë.

Ushtria e saj duhet të bëhet më vdekjeprurësja në Evropë, për ta dëbuar Putinin nga territori i saj dhe për të mbrojtur veten dhe Evropën nga një inkursion tjetër i Moskës në të ardhmen.

Tani që po mbushet një vit nga fillimi i kësaj lufte, është e qartë se loja përfundimtare e Putinit nuk është triumfi, por thjesht mos-humbja dhe që të shkatërrojë sa më shumë pjesë të Ukrainës. Kjo do të thotë se fundi i lojës për Perëndimin duhet të jetë shkatërrimi i ushtrisë dhe i regjimit të tij sa më shpejt dhe me sa më shumë efikasitet që të jetë e mundur. /albeu.com


Shtuar 9.02.2023 16:41