BE: Zgjedhjet në veriun Kosovës në përputhje me kuadrin ligjor, por nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë

Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet e së dielës në komunat veriore të Kosovës ishin në pajtim me kuadrin ligjor të vendit, por nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë, ndërsa bëri thirrje për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës në për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, u bojkotuan nga partitë politike serbe në zonë me kërkesën e Beogradit.

“BE-ja e pranon se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhje që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si një punë e zakonshme”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se që nga largimi i serbëve nga institucionet në veriun e Kosovës në nëntor të vitit 2020 blloku është angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre.

“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të përmbyllet sa më parë që është e mundur”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se është e domosdoshme që urgjentisht të rivendoset një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veriun e Kosovës.

Bashkimi Evropian vlerëson se për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri.

“Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë synim”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian, i cili për datën 2 maj ka caktuar një takim të ri ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes.


Shtuar 24.04.2023 13:19