Nikolla lexon njoftimin e PD për zgjedhjen e Bashës edhe kryetar të grupit parlamentar, paralajmëron Bardhi: Bëjini llogaritë mirë pas kësaj…

Gazment Bardhi i është drejtuar me tone të ashpra kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila gjatë seancës së sotme plenare lexoi një njoftim të mbërritur nga grupi parlamentar i PD-së që njoftonte se Lulzim Basha është kreu i këtij grupi.

Ky njoftim ka shkaktuar të qeshura, si nga të majtët dhe të djathtët, por edhe kritika.

Bardhi i ka paralajmëruar që mos përzihen me punët e brendshme të PD-së.

Bardhi: Ta harroni se kryetarin e PD ta zgjedhë PS. Atë ditë ti zonja kryetare, pas teje Edi Rama t’i bëni llogaritë mirë. Unë e kuptoj që disa kanë vendosur të bëhen qesharakë, ju kanë përfshirë dhe ju në këtë lojë, por ju lutem mos provokoni deputetët e opozitës. Ky është një paralajmërim shumë qytetar. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk e caktojnë dot kryetarin e Partisë Demokratike.

Nikolla: Unë lexova një njoftim që më ka ardhur sot, fakti që ju jeni konfuz, fakti që situata në PD është kaq konfuze…Qesharak bëheni ju që nuk dini se si zgjidhet kryetari i Grupit Parlamentar dhe sillni këtu dy-tre përfaqësues. Jeni konfuz dhe po krijoni një situatë të paprecedent në Kuvendin e Shqipërisë.

Kujtojmë se në statutin e ri të PD-së u caktua që Basha të ishte dhe kreu i grupit parlamentar. Ndërkohë ai tha sot se këtë detyrë do ia delegojë një nga nënkryetarëve të PD-së./Albeu.com/ 


Shtuar 4.09.2023 10:35