Presidenti Macron: E drejta e abortit do të përfshihet në Kushtetutë

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se është në favor të përfshirjes së të drejtës për abortin në Kushtetutë, një veprim që ai tha se do të ishte një “shenjë solidariteti” me gratë në mbarë botën.

Macron e bëri njoftimin sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në një ceremoni për nder të feministes dhe avokates franceze Gisele Alimi, e cila vdiq në vitin 2020 në moshën 93-vjeçare.

Alimi, e lindur në Tunizi, mbrojti me pasion të drejtën e grave për të abortuar.

“Shpresoj se fuqia e këtij mesazhi do të na ndihmojë të amendojmë Kushtetutën tonë dhe të përfshijmë në të lirinë e grave për të kërkuar një abort, në mënyrë që asgjë të mos parandalojë, as të shfuqizojë diçka që do të jetë e pakthyeshme”, shtoi presidenti francez.

“Në këtë mënyrë do të dërgohet një mesazh solidariteti për të gjitha gratë që sot shohin se po dërrmohet kjo liri e tyre”, theksoi ai.

Të dy dhomat e Parlamentit francez kanë votuar tashmë në favor të përfshirjes të së drejtës të abortit në Kushtetutë.

Megjithatë, Senati flet për “lirinë” dhe Asambleja Kombëtare për “të drejtën” e abortit.

Macron tha se një projektligj për ndryshimin e Kushtetutës do të paraqitet brenda disa muajve të ardhshëm.

Në një gjyq historik, në vitin 1972, Alimi fitoi pafajësinë e një të miture që po gjykohej për abort pasi mbeti shtatzënë nga përdhunimi./Albeu.com/


Shtuar 8.03.2023 22:02