Rutte uron Ramën për ditëlindje dhe flet për integrimin në BE: Propozimi francez i jep zgjidhje ngërçit

Kryeministri i Holandës Mark Rutte, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për ditëlindjen, i cili sot mbush 58 vjeç.

Urimi i Rutte erdhi gjatë konferencës së përbashkët për mediat që dy kryeministrat po mbajnë në Amsterdam.

“Është kënaqësi të jetë me ne ditën e ditëlindjes së tij. Sot bën 58. Të uroj gëzuar ditëlindjen Edi”, u shpreh Rutte.

Rutte foli dhe për procesin e anëtarësimit rë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

“Sigurisht ka qenë vetëm një kohë e shkurtër ku ishim bashkë në samitin e përbashkët në BE, i cili nuk ishte një takim i suksesshëm. Vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë fort, për tu bërë pjesë e BE dhe Holanda e mbështet fort Shqipërinë. Por problemi këtu është Maqedonia e Veriut, për të cilën presidenca franceze ka dhënë një zgjidhje. Ne mbështesim propozimin francez. Gjëja më e fundit që dimë është se qeveria po i hedh një shikim propozimit. BE në momentin që do të arrihet një kompromis nuk do ta lëmë vetëm Maqedoninë e Veriut. Ne do të mbështesim Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Po kështu kjo mbështetje do të jetë për qeverinë e Edi Ramës e cila ka bërë një punë të mirë”, tha Rutte


Shtuar 4.07.2022 19:10