A po vjen pranvera edhe për opozitën? Meta flet për herë të parë pas dorëheqjes së Bashës (VIDEO)

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka folur për herë të parë pas dorëheqjes së kryedemokratit Lulzim Basha.

Gjatë vizitës së tij në Kryegjyshatën Botërore të bektashinjve, Meta është ka dhënë sinjale shprese dhe urime për shqiptarët, në këtë ditë pranvere.

“Është kënaqësi që t’iu uroj të gjithë shqiptarëve, në këtë ditë të bekuar të Sulltan Novruzit, urimet më të mira në realizimin e dëshirave të tyre. Në këtë ditë të ripërtëritjes së natyrës, të ardhjes së pranverës duke lënë dimrin pas, edhe shpresat të rriten, për një të ardhme më të mirë.

Pranvera është një stinë e jashtëzakonshme, nuk vjen kurrë me një lule. Ne 22 Marsin, prej 30 vitesh e kemi dhe festë të demokracisë, pranvera dhe demokracia janë në sinkron me njëra tjetrën”, tha Meta.

A po vjen pranvera dhe për opozitën?

“Pranvera është për të gjithë qytetarët, për të gjithë shqiptarët, pranvera ka lule, është gjithëpërfshirëse. Këtu jemi për pranverën, dhe unë e dua shumë pranverën, pasi edhe kam lindur në pranverë, nuk është ndonjë sekret që të them që unë emrin e dytë nga gjyshja e kam Novruz.

Nuk kam asnjë përgjigje për këtë, këto pyetje nuk kanë vend këtu në dyert e kryegjyshatës”, është shprehur Meta./albeu.com/