Bilanci: Shkon në 42 numri i viktimave, si paraqitet situata e COVID 19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i të shëruarve nga koronavirusi është 1.246 raste, kurse raste aktive 1144.

IKSHPK njofton se nga data 08 shkurt deri më 25 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 22.725 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.432 raste, me gjithsej 42 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave”.

IKSHPK, apelon te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllur.

“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve. Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, një ditë më parë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se rritja e rasteve me coronavirus ka ardhur si rrjedhojë e lirimit të masave dhe protestës së Vetëvendosjes më 12 qershor.

Zemaj para kryetarit Ahmeti paralajmëroi testime masive për COVID-19, ndonëse ditëve të fundit është ndaluar testimi i kontakteve të personave me koronavirus.

Ai theksoi se shumë shpejt do të bëjnë publike strategjinë anti COVID-19 për tre muajt e ardhshëm.


Shtuar 26.06.2020 07:17