SHBA i kërkon Kinës të ndalë kërcënimet ndaj anijeve që lundrojnë në Detin e Kinës Jugore

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Kinës që të “ndalë kërcënimin rutinë” që u bën anijeve të vendeve të tjera që kanë pretendime për Detin e Kinës Jugore, duke riafirmuar mbështetjen për një vendim të një gjykate arbitrazhi të vitit 2016, të cilin Kina tha të mërkurën se nuk njeh.

Shtatë vite më parë gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë arriti në përfundimin se pretendimi i Pekinit për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore, ishte i pabazë. Çdo vit në këtë det qarkullojnë mallra në vlerën e rreth 3 trilionë dollarëve.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller tha se vendimi ishte përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm për Filipinet dhe Kinën, dhe i kërkoi Pekinit të zbatojë ligjin ndërkombëtar.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Pekinit të “ndalë veprimet kundër të drejtave sovrane të shteteve për të eksploruar, shfrytëzuar, ruajtur dhe menaxhuar burimet natyrore, si dhe t’i japë fund ndërhyrjes në liritë e lundrimit dhe fluturimit të shteteve që veprojnë ligjërisht në rajon”.

Por Kina, veprimet “agresive” të së cilës në Detin e Kinës Jugore kanë qenë objekt i qindra protestave diplomatike nga ana e Filipineve, tha se nuk e njeh vendimin e gjykatës.

Për të shënuar përvjetorin e vendimit të gjykatës së arbitrazhit, i cili ka marrë mbështetjen e vendeve të tilla si Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, të mërkurën ministria e Jashtme e Filipineve, hapi një faqe interneti që përmban informacion zyrtar, në lidhje me fitoren ligjore të Manilës kundër Pekinit./VOA/