Ambasadori rus në Beograd: Qëndrimi për Kosovën s’ka ndryshuar

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandr Bocan Kharchenko, tha se “nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndryshim në qëndrimin e Federatës Ruse, sa i përket çështjes së Kosovës”.

“Ne nuk e njohim Kosovën. E mbështesim Beogradin, në mënyrë aktive, në forumet ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjithçka në lidhje me ndryshimet e pretenduara në pozicionin e Rusisë është shpikur, me qëllim të prishjes së marrëdhënieve Moskë-Beograd dhe me qëllim që Serbia t’iu bashkohet masave anti-ruse”, tha Kharchenko për gazetën serbe Politika.

Më 26 prill, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas. Rusia, ashtu si Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Pas deklaratës së Putinit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se vendi i tij është nën “presion në rritje” për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq ka thënë se situata në Serbi ka “ndryshuar për të keq” pas deklaratës së presidentit të Rusisë dhe se i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova dhe Donbasi nuk janë njësoj.

Autoritetet në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga Perëndimi, refuzojnë t’i vendosin sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Ambasadori rus në Beograd tha se presionet ndaj Serbisë janë “të pabesueshme” dhe “brutale”.

“Ne e kuptojmë presionin e jashtëzakonshëm të Perëndimit ndaj Beogradit dhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet Serbia. Dhe, natyrisht, e vlerësojmë shumë linjën parimore që mban [Serbia], duke mos i pranuar sanksionet anti-ruse”, tha Kharchenko.

Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt, Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të ashpra, ekonomike dhe diplomatike, kundër Rusisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor u janë bashkuar atyre, përveç Serbisë./rel