Sunak “i fokusuar” te çështjet e brendshme, nuk do të marrë pjesë në samitin e OKB-së për klimën

Kryeministri britanik Rishi Sunak nuk do të marrë pjesë në samitin e nëntorit për ndryshimet klimatike COP27 në Egjipt, ka njoftuar zyra e tij. Në vend të tij ai do të dërgojë ministra të rangut të lartë të qeverisë së tij, në mënyrë që të fokusohet në çështjet e brendshme dhe buxhetin.

Sunak mori kryeministër të hënën ndërsa shtyu shpalljen e programit të tij fiskal për 17 nëntor . Ai synon të trajtojë krizën e kostos së jetesës dhe të rivendosë kredibilitetin financiar ndërkombëtar të Londrës, i cili u trondit gjatë qëndrimit të shkurtër të Liz Truss në Downing Street.

Truss kishte ndërmend të shkonte në Sharm el-Sheikh, por sot një zëdhënës i Sunak tha se kryeministri i ri nuk kishte në plan të merrte pjesë në COP27 “për shkak të çështjeve të tjera urgjente të brendshme”. Por ai siguroi se Britania, e cila vitin e kaluar priti COP26 në Glasgow , mbështet përpjekjet ndërkombëtare për t’u marrë me ndryshimet klimatike dhe për të mbrojtur natyrën.

“Britania do të përfaqësohet nga ministra të tjerë të lartë, si dhe presidenti i COP Alok Sharma,” shtoi ai. Udhëheqësve me të cilët foli pas marrjes së detyrave të tij kryeministrore, Sunak u tha megjithatë se ai synon të marrë pjesë në samitin e G20 në Indonezi në mes të nëntorit.