“Lërini fëmijët të qajnë, por mos i jepni telefonin”, Lira Gjika: Po i shkatërron të folurën

Pediatrja Lira Gjika e ftuar  tha se deri në moshën 2-vjeçare, fëmijët nuk duhet të përdorin telefonin. Përdorimi i mjeteve teknologjike, u shpreh Gjika, është i dëmshëm në mënyrë të veçantë për të folurën.

“T’i japësh fëmijës telefonin që të rrijë urtë, tregon se je një prind i papërgjegjshëm. Telefoni deri në moshën 2-vjeç nuk duhet përdorur. Është shumë i dëmshëm sidomos për të folurën. Gjuha ndërtohet nga marrëdhëniet njeri me njeri. Ndërsa kur i japim telefoni gjuha zhvillohet nëpërmjet sendit dhe jo njeriut. Ky është një problem që sot shkencëtarët e bërtasin me të madhe. Edhe pas moshës 2-vjeçare, telefoni nga fëmijët duhet përdorur me kohë të reduktuar.

Lërini fëmijët të qajnë, por mos i jepni telefonin. E lë prindi fëmijën ta shtypë makina? Lërini atëherë të qajë. E qara është një reagim normal dhe natyral te fëmijët e dëshpëruar”, u shpreh Gjika në Dritare TV.