Paketa e shpëtimit/ Basha reagon pas deklaratës së kryeministrit: Vazhdon të tallet me qytetarët

Pas prezantimit të paketës financiare nga kryeministri për të mbështetur kategorinë e pensionistëve nga rritja e çmimeve, ka ardhur edhe reagimi i kryedemokratit Basha.

Basha nëpërmjet një postimi në “facebook” ka shkruar se Rama vazhdon të tallet me qytetarët duke i dhënë lëmosh, duke e krahasuar atë me skemën që beri në kohën e pandemisë.

Reagimi i Bashës:

Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.

Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.
Zgjidhje ka.

Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.

Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 %. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 %.

Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.
Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë. /albeu.com

 


Shtuar 14.03.2022 11:54