Çfarë po i nxit masakrat e vazhdueshme në SHBA

Nga John Burn-Murdoch “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të shtunën e javës së kaluar, një ekstremist i ekstremit të djathtë hapi zjarr me një pushkë të stilit AR-15 mbi kalimtarët në një qendër tregtare në Allen, Teksas. Ai vrau 8 njerëz, përfshirë 2 fëmijë, dhe plagosi 7 të tjerë.

Kjo ishte masakra e nëntë masive nga një “qitës aktiv” që nga fillimi i këtij viti në SHBA, sipas përkufizimit të përdorur nga FBI. Është e kuptueshme që ngjarje të tilla e dominojnë diskutimin për dhunën me armë në Amerikë. Por gjykoj se ia vlen të bëjmë një hap prapa për të shqyrtuar të gjitha aspektet e kësaj krize.

Incidentet e të “shtënave aktive” ishin përgjegjëse për 103 vdekje me armë zjarri në SHBA gjatë vitit 2021. Kjo është shifër jashtëzakonisht e lartë. Megjithatë duket e vogël kur merret parasysh numri i përgjithshëm i vdekjeve me armë zjarri në SHBA, që në të njëjtin vit ishte 48.830. në mënyrë të habitshme, 44 për qind e amerikanëve thonë se njohin dikë që është qëlluar, dhe 1 në 4 thotë se dikush ka përdorur një armë për ta kërcënuar ose frikësuar atë ose familjen e tij.

Ngjashëm, ndërsa dëmi që mund të shkaktohet me një armë gjysmë automatike është vërtet i madh, pushkët përbëjnë vetëm 5 për qind të vrasjeve me armë zjarri në SHBA (një shifër që nuk ka ndryshuar në dy dekada). Ndërkohë, pjesa që i atribuohet pistoletave është rritur vazhdimisht: tani shkaktojnë 91 për qind të të gjitha vrasjeve, në të cilat dihet lloji i armës.

Kërcënimi i një ekstremisti të armatosur rëndë që futet në një shkollë apo klub nate është i tmerrshëm, por shkalla e të shtënave “jo masive” në SHBA është ndoshta edhe më tronditëse. Në fakt, edhe pse zotërimi i armëve në SHBA është shumë më i lartë sesa në çdo vend tjetër të zhvilluar, SHBA dallon për dhunën e shkaktuar nga armët e zjarrit.

Kanadaja dhe Finlanda, shoqëritë e dyta dhe të treta më të armatosura në botën e zhvilluar, kanë rreth 3 herë më pak armë zjarri për frymë sesa SHBA-ja në përgjithësi, dhe 10 herë më pak pistoleta. Ky dallim është shumë i rëndësishëm, pasi shumica e vdekjeve me armë janë vetëvrasje me armë të tilla, dhe shumica e vrasjeve janë spontane dhe jo të planifikuara.

Po ashtu, ai pasqyron kultura shumë të ndryshme të mbajtjes së armëve. Në Finlandë dhe Kanada – ashtu si tek shumica e vendeve të zhvilluara – zotërimi i armëve është përqendruar tradicionalisht tek gjuetia, ndërsa 76 për qind e pronarëve të armëve amerikane thonë se arma e tyre është për mbrojtje personale.

Pjesa më e madhe e këtij përjashtimi që ka SHBA buron pa asnjë dyshim nga e drejta për të mbajtur armë, e cila është e sanksionuar në kushtetutën e vendit. Por ekziston ndërkohë edhe ka një faktor tjetër që luan një rol të rëndësishëm:besimi.

Ekziston një marrëdhënie e fortë pozitive midis nivelit të Produktit të Brendshëm Bruto për frymë të një vendit dhe niveleve të besimit ndër-personal. Por nivelet e këtij lloj besimi në SHBA kanë rënë ndër dekada, dhe pjesa më e madhe e amerikanëve thonë se nuk u besojnë njerëzve të tjerë që jetojnë në lagjet e tyre.

Kjo normë është aktualisht afro dyfishi i asaj që do të prisnit bazuar në zhvillimin socio-ekonomik të SHBA-së. Dhe ky duhet të jetë shkak për shqetësim në vetvete, veçanërisht sepse besimi luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e dhunës me armë. Pak njerëz vlerësojnë se në nivel vendi dhe shteti, marrëdhënia statistikore midis disponueshmërisë së armëve dhe vdekjeve nga armët drejtohet pothuajse tërësisht nga vetëvrasjet.

Sa më shumë njerëzit kanë qasje tek armët, aq më shumë dot`i përdorin ato për t’i dhënë fund jetës së tyre. Dhe duke qenë se shumica e të gjitha vdekjeve nga armët janë vetëvrasje, kjo dinamikë dominon lidhjen e përgjithshme të vdekjeve nga armët.

Mjafton të analizoni vetëm vrasjet me armë, dhe lidhja me numrin e armëve është shumë më e dobët, pavarësisht nëse analiza vjen janë vende të ndryshme apo shtete të SHBA-së. Por shtoni këtu nivelin e besimin ndër-personal si dhe pronësinë e armëve, dhe bëhet shumë e qartë marrëdhënia e drejtpërdrejtë.

Pra është ndërveprimi midis armëve dhe frikës ai që e rrit ndjeshëm shkallën e vrasjeve. Ky kombinim toksik midis armëve dhe armiqësisë, është shumë i qartë në valën e masakrave të fundit që kanë ndodhur në SHBA, ku janë përfshirë të rinj që u qëlluan për vdekje teksa luanin fshehurazi, duke u tërhequr në rrugën e gabuar dhe duke shkuar për të tërhequr një top basketbolli nga oborri i një fqinji.

Shumica dërrmuese e amerikanëve që vdesin nga armët e zjarri nuk figurojnë në tituj e mediave kombëtare apo ndërkombëtare. Ata nuk vriten nga ekstremistët me gjysmë automatikë dhe parulla, por falë akteve të vetëvrasjes që me shumë mundësi nuk do të kishin ndodhur pa një armë në dorë, nga debate që më pas degradojnë në dhunë ekstreme, prej dhunës nga partneri apo nga njerëzit që kanë nisur t`i shohin si një kërcënim fqinjët e tyre.

Debati rreth dhunës me armë në SHBA dominohet nga masakrat ku humbin jetën më shumë sesa 1 person, por kjo është një krizë që shkon shumë më thellë sesa kaq. Adresimi i tij do të kërkojë ndryshime të ngadalta dhe të vështira kulturore, por edhe kufizime në zotërimin e armëve, të cilat janë aktualisht në një nivel shumë më të lartë se sa po propozojnë aktualisht shumica. /albeu.com


Shtuar 13.05.2023 20:59

Tags: