Mbyti dhe hodhi në kanal krushkën, jepet masa e sigurisë për 58-vjeçarin

58-vjeçari Fetah Marra, burri që mbyti, zhveshi dhe hodhi në një kanal në fshatin Kozare 63-vjeçaren Fatime Suli, është përballur sot me togat e zeza të Gjykatës së Beratit, për t’u njohur me masën sigurisë.

Gjatë një seance që zgjati rreth 60-minuta, prokurori Elidon Hyseni, në bazë të provave të grumbulluara ka kërkuar vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të tij dhe caktimi e masës së sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Gjyqtarja Matilda Llangozi, pasi u njoh me provat e organit të akuzës, e cilësoi “të ligjshëm” arrestimin e 58-vjeçarit dhe caktoi për vrasësin Fetah Marra masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Idris Kazazi, avokati i vrasësit, i caktuar nga shteti, ka deklaruar se vrasësi e ka pranuar krimin dhe ka shprehur pendesë.

Në lidhje me faktin që gruaja u gjet gjysmë e zhveshur në kanal, vrasësi ka deklaruar se në momentin e tërheqjes zvarrë për ta hedhur në kanal, i janë hequr tutat./albeu.com


Shtuar 22.01.2022 11:42