1 tamam, apo 233 për reklamë?

Nga Lufti Dervishi

“Superoperacioni” i policisë që ka prangosur deri më tani 233 shpërndarës droge dhe ka shkatërruar “23 rrjete kriminale” përtej entuziazimit të kryeministrit dhe minitrit të Brendshëm ngre një pyetje të thjeshtë: a mos do të ishte më mirë të arrestohej vetëm 1? Dhe ky njësh jo nga turma e shpërndarësve dhe përdorueseve.

Po të shohësh një aksion me të njëjtën temë të policisë italine dhe ta krahasosh me aksionin e deritanishëm të policisë së shtetit dalin jo vetëm dallime të mëdha, por edhe pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje.

Në lajmin e sotëm (shih portalin shqiptarja) bëhet e qartë se hetimet e policisë kanë nisur që në 2020 dhe policia atje godet kokën, ndërsa këtu goditet niveli fundor…

Entuziazmi për shifrën 233 bën që për herë të parë në konferencë shtypi të policisë të dalë edhe vetë ministri i Brendshëm. Vetë Kryeministri në postim ekzaltohet se  “kjo është një provë tjetër e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri” ndërkohë që po vetë ka thënë se “nuk ka krim të organizuar në Shqipëri, por vetëm ca të fortë lagjesh”

Në fjalimin e tij ministri i Brenshëm foli vetëm për shpërndarësit, asnjë fjalë për TRAFIKANTET. Asnjë fjalë për narkoparatë që pastrohen në shkallë industriale.

Në konferencën për shtyp në prani të 5 drejtorëve të policisë (a ka ndonjë prej tyre në SKY ECC?) të bën përshtypje mungesa e Prokurorit.

Ky aksion duhej duartrokituar nëse rrjetën e policisë do të kishim vetëm një person, një NJëSH që mund të ndihmonte për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve të thjeshta:

-Nga cilat pika futet kokaina në Shqipëri?

– Ku magazinohet?

– A vjen e gatshme apo përpunohet këtu?

– ku janë laboratorët e përpunimit?

– Si mbërrin kokaina nga pikat e shumicës te shpërndarësit?

– Në sa nivele dhe si është strukturuar mbërritja e kokainës deri te shpërndarësit dhe përdoruesit?

Arrestimi (deri më tani) i 233 personave të kujton arrestimin me bujë të 50 personave disa javë më parë në Elbasan që i sollën me autobuzë në Tiranë dhe sot nuk ka përgjigje për rezultatet e hetimeve dhe nuk dihet sa persona janë në gjendje arresti.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe drogës nuk bëhet me arrestime si të jetë “dita e parë e shkollës”…

Për analogji me aksionin e policisë italiane me të njëjtën temë: Rezultati:

24 persona në pranga (mes tyre 16 shqiptarë)

40 kontrolle.

42 kg heroinë, kokainë dhe hashash i sekuestruar.

Zbulim i apartamentit që përdorej si rafineri droge dhe magazinë.

Sekuestrim i të ardhurave të trafikut në vlerën qindra mijëra euro.

Arrest në flagrancë 1 italian dhe dy shqiptarë.

Konfluzion i hetimeve: të ardhurat nga droga investoheshin në Shqipëri.

Zbulim i kokës dhe i rrjetit dhe degëve ku vepronte.

Një aksion i qëruar, por megjithë këto rezultate konkrete as ministri i Brendshëm italian nuk e pa të udhës të dilte në konferencë shtypi dhe as Kryeministrja Meloni nuk postoi “superaksionin” në rrjete sociale.

Dallimi mes një shteti që luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar nuk e ka me gjasme dhe nuk e bën me whatsapp e facebook.

Ka një hendek të madh mes rezultateve konkrete në luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar dhe propagandës që “jemi ditë nate në krye të punës nëpër kantiere”.


Shtuar 14.09.2023 13:33