Pioli: Interi u tregua më i zoti, tani vëmendja e gjitha në kampionat

Milan u eliminua nga Kupa e Italisë, pasi Interi e mposhti 3-0 në derbin e Madonninës, ku dopieta e Lautaro Martinez dhe goli i Gosens i dhanë kualifikimin në finale zikaltërve të Simone Inzaghit.

Pas kësaj humbje trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli e pranoi humbjen, por nuk e fsheh keqardhjen për golin e anuluar të Bennacer, që mund të rihapte ndeshjen.

Ndër të tjera tekniku i Milan kërkoi nga djemtë e tij që të përqendrojnë të gjithë vëmendjen tashmë në Serie A, pasi duhet të fitojnë ndeshjet.

“Interi u tregua më i zoti se ne dhe shfrytëzoi mjaft mirë rastet e krijuara. Humbja është e pastër, por ne golin tonë e bëmë. Portieri nuk protestoi për asnjë moment për pozicion jashtë loje dhe ky është një rast i çuditshëm. Kundërshtarët protestuan për prekje me dorë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Nuk është momenti që të qajmë këtë humbje, pasi kemi fazën finale të kampionatit dhe duhet të reagojmë në mënyrën e duhur. I njoh mirë djemtë dhe e di që do të reagojnë që në ndeshjen e radhës ndaj Lazios”, deklaroi Pioli. /h.ll/albeu.com


Shtuar 20.04.2022 10:52