Piramida, stadiumi dhe abonetë e autobusëve
Pëlqej
Albeu.com
Në debatin folklorik të para dy ditëve, kryeministri Berisha e siguroi disa herë rresht Edi Ramën se të merresh me arkitekturë, është një punë fort e koklavitur. Duke u përpjekur, nga pozita e kardiologut, që t’i tregonte atij që kishte përballë, sesa pak dinte, nga pozita e tij e piktorit, për ndërtesat dhe artin e vendosjes së tyre në peizazhin urban, Berisha lajmëroi zyrtarisht fundin e Piramidës. Ish-muzeu do të shembet më 20 shkurt të vitit të ardhshëm, ky është vendimi. Politik, jo profesional.

Pas këtij takimi, Berisha kaloi menjëherë në një tjetër takim pune, ku u përcaktuan objektivat e projekt-buxhetit, që pritet të kalojë së afërmi në Kuvend. Parlamenti, Stadiumi i ri kombëtar dhe rrugët, ishin piketat që artikuloi Kryeministri me atë rast. Kjo ndodhte këto orë, ndërsa FMN-ja paralajmëronte zyrtarisht se tonet mbi të cilat po ndërtohet ky buxhet janë më entuziaste seç duhet dhe se borxhi publik vijon të mbetet një shqetësim konstant.

Përtej debatit të gjerë dhe të gjatë, lidhur me prioritetet e buxhetit të një qeverie shqiptare në vitin 2010, mund të vërehet pa shumë mund dhe dituri specifike në materien në fjalë, se po merr formë një ngrehinë fjalësh, më shumë sesa një sfidë veprash, se ky buxhet po hedh disa piketa, të cilat janë tipike për angazhimet e një fushate. Dhe një e tillë po afrohet, qoftë edhe nëse sheh debatin për abonetë e autobusëve në Tiranë.

Berisha po përpiqet të imitojë Ramën, brenda vijës së verdhë të Tiranës. Pasi u përpoq për dhjetë vjet për ta fituar bashkinë e kryeqytetit, pa ia arritur qëllimit, Doktori po kërkon që të shfrytëzojë pozitën e lartë ekzekutive që mban, për të lënë dhe ai një shenjë të dukshme në këtë qytet, edhe për ditët kur s’do të jetë më Kryeministër, por një i moshuar që del shëtitje nga Liqeni. Deri këtu gjithçka hyn brenda logjikës së sedrës së politikanit që kërkon përjetësinë. Të atij politikani, për të cilin historia ofron shembuj të pafund, e që nuk janë edhe aq pozitivë. Megjithatë, përtej këtij elementi gjithsesi individual, vërehet jo pa shqetësim një fakt i thjeshtë, por edhe therës i abuzimit me pushtetin.

Të shembësh një objekt si Piramida, për të ngritur një tjetër objekt si Parlamenti, papritur e pa kujtuar, pa pyetur askënd që merr vesh nga profesioni i shembjes dhe i ndërtimit, pa marrë parasysh asnjë arsye jashtë asaj që del nga terreni politiko-ideologjik, do të thotë të abuzosh me pushtetin që të kanë dhënë me votë. Të imponosh një vullnet absolut në këto kushte, do të thotë të sfidosh të gjithë atë sistem rregullash që mbajnë në këmbë një shoqëri demokratike. Kryeministri është duke e bërë këtë me paranë publike, por për nevoja aspak publike.

Një numër qëndrimesh në favor të shembjes së Piramidës, janë afishuar ditët e fundit. Të habit në këtë mes sinkronizimi i kësaj pjese të debatit, me vendimmarrjen politike për shembjen e ish-muzeut të Hoxhës. Askujt s’i ka zënë sytë deri dje ky objekt vërtet i degraduar, por ndoshta ende jo i panevojshëm. Papritur, Piramida është bërë simboli i së keqes. Të krijohet përshtypja, tek dëgjon me sa patos mbrohet në këto orë heqja qafe e këtij objekti, se jo vetëm krizat shqiptare, por edhe ato ballkanike mund të zgjidhen, nëse shembim Piramidën!

Fushata aktuale, që po kërkon t’i ndërtojë një zyrë të re zonjës Topalli, është hiç më pak se një spostim spektakolar i axhendës reale, nga ajo virtuale. E thënë ndryshe, Shqipëria e bulevardit që triumfon mbi Shqipërinë tjetër, që e jeton krizën në të gjithë dramaticitetin e saj.

Një tjetër sajesë e Shqipërisë virtuale është edhe stadiumi me formën e territorit tonë shtetëror. Të ndërtosh një stadium futbolli prej 35 milionë eurosh, në një vend ku kampionati i futbollit është thjesht një formalitet dhe ku kombëtarja është një strehë “refugjatësh” luksi që vijnë një ditë para ndeshjeve, do të thotë të vesh qerren para kuajve. Sepse stadiumi i ri kombëtar, sado përfaqësues i imazhit të vendit në botë, nuk duket se hyn në listën e emergjencave, në të cilat vegjetojmë prej dy dekadash. Ky shtet ka sot urgjenca nga më të ndryshmet, për nga pesha e rëndësia: ka një nevojë alarmante për ta shtrirë autoritetin e ligjit dhe të rregullave në të gjithë territorin, i cili vazhdon të jetë i (pa)keqmenaxhuar. Ky vend ka nevojë ulëritëse për reforma sociale që të luftojnë papunësinë dhe varfërinë endemike, për një zgjidhje të madhe të problemit të pronës, ka nevojë që të ngrejë më në fund në këmbë një sistem drejtësie dinjitoz, jo si ky që kemi, ka nevojë që shteti të merret seriozisht me bujqësinë, arsimin e kulturën e ambientin. Para se të harxhojmë qimet e kokës për të ndërtuar një stadium që do të mbushet dy herë në vit, kemi urgjencën që të gjejmë ilaçe për spitalet dhe që të shtrojmë rrugët e shkatërruara. Natyrisht që një stadium apo edhe një parlament i ri, nuk do të thithin të gjithë paranë që do të duhej për ta bërë Shqipërinë Zvicër, por të paktën do të na kursenin ne taksapguesve shfaqjen e radhës së keqpërdorimit të parave tona, nga ata që i kemi mandatuar të na qeverisin.
Shtuar më 04/11/2010, ora 13:18
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori