Loja me zjarrin
Pëlqej
Albeu.com
Në përgjigjen që kryeministri Berisha i ktheu dje Edi Ramës për ofertën e tij të fundit për hetimin e 28 qershorit, kurioziteti fokusohej më shumë te mënyra e refuzimit të ofertës, sesa te fakti nëse do të kishte ose jo një të tillë. Tashmë e dinë edhe gurët e rrugëve që klasa jonë politike po konsumon prej një viti e gjysmë retorikën e hetimit të zgjedhjeve, por jo vetë hetimin e zgjedhjeve.

Dhe formula e zotit Berisha, duhet thënë, çalonte edhe në funksion të fantazisë. Mesa duket edhe ky komponent ka filluar të jetë deficitar në debatin politik të ditës, pasi për substancë, sinqeritet dhe transparencë ka kohë që s’ia vlen të flitet. Kryeministri u tha dje shqiptarëve (dhe europianëve, që po mbajnë shënim), se propozimi i Ramës ishte i vjetër. “Daton prej 14 shtatorit”, u shpreh kreu i shumicës, si të kishte thënë, për shembull, se letra mbi të cilën qe shkruar oferta, ishte e një cilësie të dobët, ose jo e bardhë sa duhej. Kjo hyrje shërbente për të ambalazhuar konsideratën e dytë të Kryeministrit: atë sipas të cilës opozita po kërkon, edhe në këtë propozim të fundit, një hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Dhe ai, siç e ka deklaruar dendur, është kundër hetimit të pakushtëzuar, sepse bie ndesh me vendimet e gjykatave.

Le ta lemë mënjanë faktin se në opinionin e fundit të Komisionit Europian thuheshin disa gjëra shumë interesante në lidhje me qëndrimin e kësaj mazhorance ndaj gjykatave, sidomos asaj kushtetuese. Ta lemë gjithashtu mënjanë edhe faktin tjetër, se propozimi i fundit i opozitës mund të qe hedhur në tryezë kohë më parë, duke kursyer disa muaj debate e tensione të kota në skenën politike. Por, nëse vendosim të fokusohemi në thelbin e përgjigjes së zotit Berisha, si reagim përmbyllës ndaj një formule e cila mori nota inkurajuese edhe në Bruksel (deklarata e fundit e komisionerit Fyle), atëherë kuptojmë, edhe një herë më shumë, një të vërtetë të madhe dhe të thjeshtë: këtu po kërkohet me çdo kusht që të mos ketë hetim zgjedhjesh.

Kryeministri s’mund të thotë që opozita po kërkon hetim të pakushtëzuar. Përballë propozimit të Ramës që të hetohen vetëm materialet zgjedhore, duke u shprehur në mënyrë eksplicite për mospërfshirjen në hetim të fletëve të votimit, një konstatim i tillë është thjesht i pavërtetë. Nuk ka hetim më të kufizuar të një procesi zgjedhor, sesa ai që fokusohet në një pjesë të kutive të votimit, duke lënë jashtë pjesën tjetër. Atë më të madhen madje, ku janë të mbyllura qindra mijë fletë votimi. Fakti që ky propozim i fundit i opozitës nuk kaloi pa u vënë re nga europianët, fakti që më në fund pala e dëmtuar po ofron që të hiqet nga hetimi fantazma e fletëve të votimit, e bën këtë ofertë të fundit një sfidë jo të lehtë për t’u përballuar për qeverinë. Këto orë e kemi dëgjuar shpesh metaforën e topit që kalon në fushën e mazhorancës. Mesa duket, është vërtet kështu, megjithëse Kryeministri zgjodhi që të thotë edhe një herë “Jo”, duke marrë përsipër një përgjegjësi, e cila rrezikon të sjellë edhe shumë pasoja të tjera negative në ditët që vijnë.

Prej kësaj pike të vdekur, rrjedh në mënyrë natyrshme një listë pikash të tjera potencialisht të vdekura, që do ta fusnin pa asnjë dyshim vendin në kolaps, në javët e ardhshme. Moshetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit pritet të sjellë shtyrjen deri në kalenda të reformës elektorale, që do të shtrojë rrugën drejt votimeve administrative të majit. Bllokimi i kësaj reforme do të sillte mundësinë e një refuzimi nga ana e opozitës, për të marrë pjesë në zgjedhje, me gjithë shpurën tjetër të pasojave, që tani veçse mund t’i përfytyrojmë në mënyrë të përgjithshme.

Nuk dihet nëse refuzimi i zotit Berisha do të krijojë një efekt domino si ky i mësipërmi. Ajo që dihet është se qeveria po e ekspozon veten rrezikshëm ndaj skadimit të disa afateve, të cilat mund të hedhin në erë të gjithë axhendën politike të vitit 2011. Minimi i ndërgjegjshëm i rrugës që të çon te zgjedhjet, është një lojë me zjarrin. Ai do të ishte një akt vetëvrasjeje politike për shumicën, në momentin kur ndërkombëtarët e kanë afishuar mëse një herë humorin e tyre gri në të zezë ndaj zhvillimeve në politike Shqipëri. Dhe ky humor gjithnjë e më tepër po spostohet mbi shpatullat e qeverisë, përgjegjësja kryesore në ecurinë e proceseve politike në vend. Kryeministri ndoshta shpreson se loja 20-vjeçare me durimin e europianëve do t’i japë edhe një herë kohë dhe hapësirë për të mos çeduar nga llogorja e tij. Por a janë të gatshëm vetë europianët ta bëjnë pafundësisht diçka të tillë?!
Shtuar më 18/11/2010, ora 10:30
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori