Lisbona dhe qëndrimi shqiptar
Pëlqej
Albeu.com
Një foto e turbullt e marrë në distancë, ku duket kryeministri Berisha që shtrëngon duart me presidentin amerikan Obama, ishte me shumë gjasë momenti kulmor i delegacionit qeveritar shqiptar në Samitin e NATO-s në Lisbonë. Mediat qeveritare nuk u menduan gjatë për ta shitur edhe një herë këtë shtrëngim rastësor duarsh si një shenjë të sigurt të interesit e përkrahjes së liderit politik më të fuqishëm të botës, për homologun e tij të vogël ballkanas. Në këtë pikë, asgjë e re nën këtë qiell: E njëjta shtirje, i njëjti servilizëm hileqar.

Çështja është se kur vjen puna te dokumentet finale që prodhon një aktivitet i tillë, problemi stërhollohet. Nuk është më as punë fotosh protokollare e as manipulimi me mediat. Nëse i hedh një sy Deklaratës së Samitit të Lisbonës, do të vëresh se ndoshta delegacioni shqiptar ka qenë shumë i zënë me shtrëngimet e duarve, e nuk ka parë sesi është formuluar qëndrimi i NATO-s për Kosovën, i vetmi pasazh i një teksti të gjatë e impenjues, i cili prek çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Nëse lexon paragrafin 19 të deklaratës finale të Samitit të Lisbonës, pra atë pjesë ku flitet për Kosovën, vëren pa asnjë vështirësi sesa e tunduar vazhdon të jetë në fakt bashkësia ndërkombëtare, nga ideja se, me gjithë pavarësinë që ka shpallur, Kosova vijon të jetë një lloj “afere serbe”. Fakti që paragrafi nis me fjalët “i bëjmë thirrje Serbisë që të mbështesë përpjekjet për konsolidimin e paqes e stabilitetit në Kosovë”, tregon qartë se, qysh në krye të herës, tendenca është jo për të vënë në dukje faktin që sot Kosova po nis të funksionojë si një shtet i pavarur, që ajo ka nevojë të marrë njohje të tjera ndërkombëtare dhe të integrohet më mirë e më shpejt në sistemin e organizmave ndërkombëtarë, por në të kundërt, që ai që mbetet themelor e përcaktues, është roli i Serbisë në proceset stabilizuese në Kosovë. Nga ana tjetër, ky paragraf prej katër frazash, vetëm në pjesën e fundit, pra pasi ka nxjerrë në pah rolin serb, nënvizon progresin e shënuar në Kosovë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe të institucioneve. Një logjikë e kthyer me kokëposhtë, e cila vendos në plan të parë rolin e Serbisë mbi Kosovën e më pas rëndësinë e asaj që ndodh brenda Kosovës!

Që Beogradi ka një rol për të luajtur në konsolidimin e Kosovës, kjo është diçka e njohur, për sa kohë që është Serbia destabilizuesi kryesor i klimës në vend, me enklavat e saj etnike në Veri e pjesë të tjera të Kosovës. Problemi është se përse pala shqiptare, prezente në nivel të lartë në Lisbonë, nuk ka arritur ta kontestojë disi këtë formulim përfundimtar.

Lisbona qe Samiti i disa vendimeve të mëdha për NATO-n. Ai shënoi kthimin e Rusisë në tryezën e dialogut, për herë të parë pas krizës në Gjeorgji. Në këtë Samit, u vendos një strategji daljeje nga Afganistani dhe u hodhën bazat për një reformë vizionare brenda Aleancës. Në këtë aspekt, roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë vitrinë botërore ishte objektivisht i vogël dhe episodik. Por ndërkaq, nuk është e tepërt të kujtohet se dokumente si Deklarata e Lisbonës mbeten piketa të palëvizshme në panoramën globale. Nuk ka dyshim se delegacioni shqiptar ka dhënë pëlqimin e tij, në cilësinë e vendit anëtar, për formulimin e deklaratës finale. Do të ishte më pak dëshpëruese nëse do të kishim mësuar për ndonjë tentativë për ta modifikuar disi tekstin e deklaratës, megjithëse nuk ka pasur asnjë sinjal në këtë drejtim. Përkundrazi, komentet e Kryeministrit pas kthimit nga Lisbona nuk kishin asgjë tjetër brenda, përtej notave rozë të takimeve që ai zhvilloi atje.

Bujaria jonë si shtet ndaj fqinjit verior, Serbisë, ka tashmë rekordet e saj. Vendimi për të nxjerrë në “dritë” një pakicë serbe, me anë të regjistrimit etnik të popullsisë, nuk është një gjest i izoluar. Shumëkush mban mend sesi zyrtarë të lartë të kësaj qeverie kanë bërë deklarata më së paku të habitshme në adresë të Beogradit, si ato që e konsiderojnë Serbinë një “partner strategjik”. Në garën drejt formësimit të një profili sa më të ulët e bashkëpunues, Tirana zyrtare ka hedhur në vitet e fundit disa hapa që nga njëra anë e kanë lëmuar në ekstrem gjuhën ndaj Serbisë dhe nga ana tjetër kanë kërkuar të marrin në këmbim përkrahje dhe mbështetje politike nga partnerët ndërkombëtarë.

Pas kësaj deklarate finale, Serbia ka të drejtë të ndihet edhe më e mikluar, në pozitën e saj ndaj Kosovës. Për shumë rrethana e faktorë ndërkombëtarë të momentit, ajo ka marrë nga Lisbona një mesazh që përpiqet ta marrë me të mirë. A është ky një koncesion i tërthortë për Rusinë, apo një pasqyrim i komplekseve historike që ndiejnë disa shtete europiane ndaj Beogradit, për fushatën e sulmeve të vitit ’99. Mund të jenë këto, apo arsye të tjera, që motivojnë këtë qëndrim, por ne si shtet anëtar i NATO-s dhe, mbi të gjitha, si aleati më i afërt e i fortë i Kosovës, s’ka pse bëhemi palë në këtë procesin e “llastimit” ndërkombëtar të një vendi që nuk dorëzon ende kriminelët e tij të luftës te drejtësia ndërkombëtare.
Shtuar më 24/11/2010, ora 09:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori