2005-2013, ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë
Pëlqej
Albeu.com
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Thonë se dy pika uji janë gjëja më e ngjashme që mund të gjendet në botën që na rrethon. Shumëçka krahasohet me këtë simetri perfekte të natyrës, për të treguar rregullin, përsëritjen, dyzimin. Fjala vjen, prej kohësh, në ambientin politik shqiptar, ekziston një dëshirë në rritje, për të krahasuar vitin 2013 ku sapo kemi hyrë, me 365 ditët e fundit të qeverisjes socialiste, vitin 2005. Politikanët, komentatorët e gazetarët i kanë hyrë një ushtrimi krahasues mes dy epokave tetëvjeçare të qeverisjes, e pikërisht momentit të tyre përmbyllës. Paralelizmi mes këtyre dy epokave të historisë sonë politike ka marrë shkas jo vetëm nga fakti që ndodhemi në fundin e dy cikleve tetëvjeçare të qeverisjes, por edhe nga disa rrethana të tjera që na shtyjnë të besojnë në maksimën metafizike, se asgjë nuk humbet, por vetëm transformohet.

Në vitin e tetë të qeverisjes së Berishës, shumëçka ngjan si e lidhur me fije të padukshme me të njëjtën periudhë që kalonte paraardhësi dhe konkurrenti i tij historik, Fatos Nano, në vitin e largët 2005. Lodhja, konsumi, barsoletat e shpotitë me zyrtarët e lartë, kriza ekonomike, përçarjet e vogla brenda gardhit, pakënaqësitë dhe bërrylat, propaganda gjithnjë e më e thatë dhe shifrat gjithnjë e më gri – të gjitha janë aty, fiks si më 2005. Por ka edhe më. Aty është edhe “LSI” e radhës, kësaj radhe djathtas, pak rëndësi ka nëse quhet FRD apo AK. Aty është debati për rregullat e zgjedhjeve dhe akuzat ndaj KQZ. Aty është gjithashtu edhe gossipi i përjetshëm rreth asaj që duan apo nuk duan amerikanët e europianët, në këtë pragzgjedhjesh.

Megjithatë, fjala është për të krahasuar dy epoka cilësisht të ndryshme dhe kjo e bën parimisht të vështirë e të komplikuar paralelizmin. Në njërën anë qëndrojnë vitet e drejtimit të vendit nga e majta, nga ana tjetër, po jetojmë fundin e mandatit të dytë qeverisës të së djathtës. Larg retorikës shterpë se “cili ka qenë më i zoti”, duhet thënë se Shqip">Shqipëria e sotme është, në disa aspekte, shumë e ndryshme nga ajo e vitit 2005, kur Fatos Nano dorëzoi pushtetin “me çelësa në dorë”. Ashtu siç ka qenë mjaft e ndryshme edhe situata kur Berisha u ngjit në qeveri, krahasuar me kaosin absurd të vitit 1997.

Në fund të dy cikleve tetëvjeçare, gjatë të cilëve të dyja partitë e mëdha kanë harxhuar të gjitha burimet e tyre njerëzore, idetë, projektet dhe kapacitetet intelektuale e profesionale që ishin në gjendje të mblidhnin rreth vetes, mund të lexojmë gjithsesi qartë dhe në dritë të diellit bilancet përkatëse. Natyrisht, pasi ta kemi vendosur secilën prej këtyre qeverisjeve në kontekstin dhe në kohën e saj.

Nëse do të vëmë në njërën anë ngjashmëritë dhe në tjetrën ndryshimet, të dyja listat do të ishin goxha të gjata. Sa u përket ngjashmërive, ndjehet e qartë se këto dy periudha kanë si emërues të përbashkët një ndjesi të përgjithshme, se rotacioni i pushtetit është nevojë dhe domosdoshmëri. Përfaqësues të mazhorancës pranojnë qysh sot nën zë se i vetmi person që e dëshiron vërtet një fitore më 23 qershor, brenda shumicës, është Kryeministri Berisha. Mund të jetë kjo një batutë, por s’mund të jetë e tillë bjerrja e përgjithshme që po pëson qeverisja, sidomos në muajt e fundit. Nuk është rastësor fakti që pikërisht në këtë periudhë, Shqip">Shqipëria ka kapur indekse shqetësuese në të gjitha raportet që vrojtojnë parametrat demokratikë, ekonomikë e socialë në botë. Kjo puna e raporteve “gri” është një tjetër element që e bashkon këtë qeverisje, me atë të Fatos Nanos.

Gjithashtu, një tjetër aspekt që të kujton menjëherë muajt e fundit të Nanos në pushtet, është ai i perceptimit të korrupsionit nga opinioni publik dhe ndërkombëtarët. Ajo që shihej dikur si një qeveri super e korruptuar, ka sot një “simotër” po aq, në mos më të korruptuar. E nëse do të donim që listën ta vijonim më tej, do të vërenim se pas disa sukseseve të pamohueshme në procesin e integrimit euroatlantik (anëtarësimi në NATO, heqja e vizave), qeveria aktuale, porsi ajo e dikurshme e vitit 2005, ka mbetur në një pozitë të mjerueshme, sa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Europian. Rrëzimi për herë të tretë në përpjekjen për marrjen e statusit të vendit kandidat, të kujton hiç më pak se demarshet e pasuksesshme të qeverisë “Nano” për të nënshkruar marrëveshjen e stabilizim-asociimit në vitin 2005.

Por për një listë ngjashmërish, ka gjithashtu edhe një tjetër listë diferencash, e cila objektivisht i bën të ndryshme qeverinë e Sali Berishës, me atë të Fatos Nanos. E ndër to, më e dukshmja, më e pagabueshmja dhe natyrisht më flagrantja, është qasja totalisht e ndryshme e dy personazheve të mësipërm ndaj proceseve zgjedhore. Nga njëra anë, Nano, një politikan që përpos defekteve të panumërta, shënon në CV e tij politike meritat e mëdha të dorëheqjes dhe të dorëzimit paqësor të pushtetit. Nga ana tjetër, Sali Berisha, i cili mund të përfshijë në biografinë e tij të gjitha lavdet e kësaj bote, përveç dy meritave të mësipërme të Nanos. Qenia e Berishës në pushtet është automatikisht një pikëpyetje e madhe për zgjedhjet pasardhëse. Po e shohim këtë, me vendimet arbitrare që po nis të marrë Kolegji Zgjedhor këto orë. Nga ana tjetër, Berisha i 2013-s me Nanon e 2005-s ndryshojnë kryekëput në stilin e tyre drejtues. I pari, “apostulli” i kulturës së dhunës politike, i tensionit dhe përplasjes, i dyti, me stilin e tij prej kalorësi moskokëçarës, që gjithsesi prirej drejt uljes së toneve dhe kompromisit. Pas dy tetëvjeçarësh në krye të pushtetit ekzekutiv, kjo kundërvënie shfaqet sot e kulluar si drita e diellit, në sytë e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, dy qeveritë në fjalë i ndan mes tyre periudha në të cilën kanë drejtuar vendin. Ajo e socialistëve në 2005, pa kontekstin e rënduar të krizës financiare rajonale e globale, kurse kjo e vitit 2013, e zhytur në ankthin ekonomik (me gjithë optimizmin patologjik të Kryeministrit).

Ky krahasim mes dy viteve, që me shumë gjasë do të kenë një peshë të rëndësishme në historinë e dy dekadave të fundit, justifikohet nga konteksti në të cilin zhvillohen ngjarjet në teatrin politik. E ndryshme nga vendi që ishte shkëputur me mund nga trashëgimia e 1997-s, Shqip">Shqipëria e sotme është gjithaq e ngjashme me atë të vitit 2005, për nga përmasat e sfidave me të cilat përballet, por edhe për nga defektet e vjetra që demokracia e korruptuar shqiptare vijon t’i tërheqë pas vetes, si gurin e Sizifit.

Shtuar më 05/01/2013, ora 16:53
Tage: Shqip
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com

Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com