Ish-kryeministri: Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi, njësoj si Steve Jobs

Ish-kryeministri Sali Berisha iu është përgjigjur sot pyetjeve të ndjekësve të tij në “Facebook”, ndërsa është ndalur te rritja e rrogave dhe rikthimi në politikë. Ish-kryeministri theksoi se qëllimi numër një është rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë.

Mes të tjerash ai tha se nuk di i zhgënjejë mbështetësit e tij, duke shtuar se rikthimi i tretë i tij në qeverisje do jetë më i suksesshmi, njësoj si Steve Jobs.

Berisha: Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi. Do e krahasoj edhe njëherë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone. Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve.

Ne arritëm me ato reforma ekonomike që ju thoni, të kalojmë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm të jemi njerëzit më të paguar në Ballkan, madje më të paguar se bullgarët dhe rumunët. Objektivi ynë ishte të kapnim sllovenët se ata janë me rroga më afër me vendet e 15-shes së BE.

Ku e bazoja unë këtë objektiv? Asnjë vend në Ballkan, as Sllovenia, as Serbia, nuk ka pasuri përrallore të Shqipërisë. Në këtë kontekst, është në detyrën e një qeverie që këto pasuri t’i kthejë një mirësi, në mirëqenie, në rroga, në pensione, begati dhe progres të qytetarëve. Kështu që unë mbetem i sigurt në realizimin e këtyre objektivave./Albeu.com/


Shtuar 10.04.2023 12:40