Zyrtaret e Brukselit: Nuk ka as strehim e as azil ne Belgjike
Albeu.com
Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së të Huajve në Belgjikë, Freddy Roosemont, dhe Komisari i përgjithshëm belg për refugjatët dhe apatridët, Dirk Van den Bulck, shpjeguan në Bruksel se shanset për marrjen e azilit nga ...... qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë në Belgjikë janë jo vetëm minimale, por madje inegzistente.
Zyra e të Huajve në Belgjikë është instanca e parë ku dorëzohen kërkesat për azil.
“Shanset për marrjen e azilit janë krejtësisht minimale për të mos thënë inekzistente. Gjykimi bëhet mbi bazën e kritereve të Gjenevës të vitit ‘51, por njerëzit që vijnë tani janë për arsye ekonomike dhe nuk kanë fare lidhje me Konventën e Gjenevës dhe kjo do të thotë se nuk do të fitojnë azilin”, deklaroi Freeddy Roosemont, Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës të të Huajve në Belgjikë.
Dirk Van den Bulck është Komisari i Përgjithshëm për Refugjatët dhe Apatritëd. Në krye të instancës së dytë dhe më të rëndësishme që merret më trajtimin në thelb të kërkesave për azil, Komisari shpjegon për Alsat-M se përrallat që u janë treguar personave që vijnë në Belgjikë për të kërkuar azil do t’ju kthehen në makth nga realiteti që do të gjejnë në vend.
“Pasi arrijnë në Belgjikë dhe pasi shtrojnë një kërkesë për azil ata nuk do të fitojnë as shtëpi dhe as strehim, dhe së dyti nuk do të përfitojnë azilin apo lejen e qëndrimit. Pra janë dy gjëra jokorrekte dhe këta njerëz kanë një ide krejtësisht të gabuar të mundësive në Belgjikë”, shprehet Dirk Van den Bulck, Komisari i Përgjithshëm për Refugjatët dhe Apatridët në Belgjikë.
Intervistat e plota me dy kryesuesit e instancave më të rëndësishme belge që merren me trajtimin e kërkësave për azil do të keni mundësi ti ndiqni nesër.
Ndërkohë, nga zyra e Komisarit Van den Bulck, Alsat-M iu dhanë dhe shifrat e fundit të azil-kërkuesve nga Maqedonia dhe nga Serbia. Janë 60 aplikime në muajin janar dhe 349 në muajin shkurt nga qytetarë që kanë ardhur nga Maqedonia dhe 58 në muajin janar dhe 287 në muajin shkurt nga ata që kanë ardhur nga Serbia.
Një lajm tjetër i rëndësishëm që iu komunikua Alsat-M sot nga Fedasil, instanca belge që merret me strehimin e personave që kërkojnë azil në Belgjikë është se ky organizëm nuk ka më asnjë mundësi pritjeje për refugjatë të rinj, të cilët rrezikojnë të mbeten rrugëve të Belgjikës. Kjo pasi siç shpjegonte Alsat-M në lajmin e djeshëm, kapaciteti pritës ka kapërcyer tashmë 109%. Kjo do të thotë se përveç qendrave të pritjes të cilat janë të tejmbushura, azilkërkuesit nuk do të gjejnë më vend as në hotelet që menaxhon kjo qendër pasi të gjitha vendet janë të zëna. (Ernest Bunguri, alsat-m)
Shtuar më 24/02/2010, ora 16:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori