SHBA vendos sanksione ndaj Rusisë, përfshihet edhe CSKA Moscow

Kriza mes Ukrainës dhe Rusisë detyrimisht do të prekë edhe futbollin.

Presidenti Joe Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të rënda financiare ndaj bankave ruse, oligarkëve rusë dhe familjarëve të tyre, duke deklaruar se Moska ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën.

Pikërisht te bankat që SHBA do të sanksionojë, përfshihet edhe një klub futbolli, ndër më të famshmit në këtë vend.

Është CSKA Moscow që preket nga ky vendim pasi sanksionet financiare të vendosura nga SHBA përfshijnë bankën VEB, që është në listën e atyre që ka shpallur presidenti Biden se do të sanksionohen.

CSKA Moscow kaloi në 2019 nën kontrollin e Bankës më të madhe të Rusisë, pikërisht VEB e cila kishte investuar për ndërtimin e stadiumit të ri VEB Arena dhe që atëherë, kjo kompani kishte synime për të shitur kuotat por pandemia bëri të shtyhej.

Tanimë me sanksionet e vendosura, CSKA e Moskës mund të preket në buxhet dhe në bilance por gjithçka do të varet sesa do të zgjasin sanksionet e perëndimit.


Shtuar 23.02.2022 20:22