Horrori në Kombinat, psikologët: Vetëvrasja e babait mund të jetë shkaku kryesor!

Shkak kryesor që ka çuar në vetëflijim dy nga tre gratë e familjes Josifi në Kombinat, ka qenë mungesa e kryefamiljarit, i cili ishte vetëvrarë disa vite më parë.

I tillë është përfundimi i psikologes së Policisë së Tiranës, Besmira Muça.

“Nisur nga kushtet që ndodhej vajza e mbijetuar, mund të themi që humbja e jetës së babait ka qenë shkaku kryesor që ka çuar këtë familje në tentativë për të vetësakrifikuar për dashurinë që kanë pasur ndaj babait”, tha ajo sot për Abc News.

“Sipas dëshmisë së vajzës është bërë me dije që vetësakrifikimi ishte një nga metodat që ato do të përdornin për t’u afruar me dashurinë ndaj babait dhe çlirimi nga dhimbja personale ka qenë një ndër shkaqet kryesore që ato kanë tentuar për t’u vetësakrifikuar në mënyrë të tillë që t’i bashkohen figurës së të atit”, shtoi më tej psikologia.

“Por duhet të dimë që modeli që ato kanë pasur tek figura ndaj të atit, po ashtu edhe kushtet psikosociale në të cilat ato ndodheshin, humbja e vendit të punës, izolimi që ato patën nga rrethi social, sigurisht që ishte një ndikues”, u shpreh më tej Besmira Muça.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë, numri i vetëvrasjeve dhe i tentativave për vetëvrasje ka qenë në ulje gjatë këtij viti. Në 6 muajt e parë të 2020-ës janë regjistruar 18 vetëvrasje, nga 32 të tilla që ka pasur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa tentativat për vetëvrasje, 13 raste janë regjistruar në 6 muaj e parë të këtij viti dhe 16 vitin e kaluar.

“Nisur nga statistikat 6 mujore të vitit 2019 dhe 2020, në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës janë regjistruar 14 raste më pak për vetëvrasje dhe 3 raste më pak të tentativave për vetëvrasje”, thotë Muça. Sipas psikologes se policisë së Tiranës, janë disa faktorë që ndikojnë tek personat që tentojnë të ndërmarrin aktin ekstrem.

“Te faktorët psikotikë kemi të bëjmë me një risk të lartë të personave të cilët kryejnë tentativa për vetëvrasje ose vetëvrasje. Sigurisht këtu ka edhe një bazë genetike në të cilën ata mbështeten. Ndikojnë humbja e njerëzve të dashur, humbja e pasurisë, bullizmi që është një fenomen shqetësues për individin”, shprehet Muça.

Një mundësi për të parandaluar vetëvrasjet, e për t’u ardhur në ndihmë atyre që shfaqin shenja te çrregullimit mendor, sipas Muçës, është lajmërimi i policisë, ose i psikologut.

Sakaq, lidhur me ngjarjen e rëndë, Prokuroria e Tiranës mësohet se iu ka kërkuar kompanive telefonike tabulatet e numrave të përdour nga familja Josifi. Nga hetimet do të zbulohen bisedat e familjes dhe mesazhet e shkëmbyera për të mësuar personat me të cilët ato kanë komunikuar nga janari i vitit 2020.

Pikërisht këto të dhëna mund të hedhin dritë apo zbulojnë lidhjet e familjes Josifi me persona të tjere që mund të fshihen pas kësaj ngjarje të rëndë. Gjithashtu deri tani nga tabulatet telefonike rezulton se ndaj së ëmës së vajzave, Zhanetës, ka patur dy telefonata përmbajtja e të cilave po analizohet nga grupi hetimor për të kuptuar nëse lidhen me veprimet qe ato kryenin prej kohësh për të kryer ritualin e ringjalljes së vajzës së saj, Anisës, që mbahej e pajetë prej muejash në banesë.

Edhe pse akuza të shumta për ndikimin fetar në ngjarjen e Kombinatit, policia dhe prokuroria nuk ka ndaluar apo marrë në pyetje asnjë person të dyshuar që shtyu familjen nga Përmeti në aplikimin e metodave për ringjallje. Deri tani nga ana e prokurorisë është përpiluar një listë personash që pritet të merren në pyetje, pjesë e të cilës janë edhe përfaqësues të sekteve fetare që kanë praktikuar vajzat.


Shtuar 11.07.2020 16:52