Zyra Rajonale Rinore në Tiranë, Rama: Shembull nga bashkëpunimi franko-gjerman
Për herë të parë është krijuar në Tiranë, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, e cila është inauguruar sot me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama, ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi dhe homologëve të tij nga të gjitha vendet e rajonit. Rama kujtoi edhe ditën e sotme, 8 Dhjetorin, duke u shprehur se 26 vite më parë, falë të rinjve vendi mori drejtim tjetër.

"Mirëseerdhët këtu në Tiranë, në një ditë të shënuar, 8 Dhjetori, që është Dita e Rinisë dhe festë kombëtare që lidhet me 8 dhjetorin e 26 viteve më parë, kur mori rrugën Lëvizja Studentore kundër regjimit të vjetër.

Sot, ne kurorëzojmë një proces, i cili ka nisur disa kohë më parë në kuadrin e procesit të Berlinit, ku me iniciativën e kancelares Merkel, të gjithë përfaqësuesit më të lartë të rajonit u mblodhën në Berlin dhe prej aty mori jetë një angazhim i ri dhe i përgjithshëm për t’i dhënë paqes në rajon një cilësi të re.

Pjesë e këtij angazhimi ishte edhe krijimi i kësaj zyre mbi bazën e modelit frymëzuese të bashkëpunimit rinor franko-gjerman, që praktikisht luajti një rol fantastik në procesin e paqtimit dhe të ndërveprimit mes dy vendeve pas Luftës së Dytë Botërore.

Unë jo formalisht dua t’i shpreh mirënjohje miqve tanë gjermanë dhe francezë, të cilët bujarisht na kanë ofruar mbështetjen, eksperiencën, dijen e tyre mbi këtë proces dhe faktikisht e kanë shoqëruar në këtë periudhë Ministrinë tonë të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë, por edhe të gjithë institucionet e tjera të përfshira jo vetëm këtu, por edhe në rajon, për t’i dhënë jetë kësaj hapësire, ku do të marrin formë nisma nga më të ndryshmet dhe ku do të luajnë një rol vetë të rinjtë nga vende të ndryshme, për të promovuar modele bashkëpunimi dhe për të jetësuar ide, projekte dhe iniciativa të përbashkëta.

Dua ti shpreh mirënjohjen time Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane të Francës, një miku shumë të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por edhe mund ta them besoj, një mik i shtrenjtë për mua, Harlem Desir, i cili sot ka marrë rrugën për të ardhur deri këtu, gjë që në këndvështrimin tim shpreh edhe respektin, por edhe interesimin e Francës për këtë iniciativë kaq të rëndësishme.

Po ashtu, edhe të tjerët që janë këtu, përfaqësues të të dyja vendeve që e mbështesin këtë nisëm, Gjermanisë e Francës.

Gjermania si zakonisht në gjithë instancat europiane nuk përfaqësohet vetëm nga vetvetja, por nëpërmjet institucioneve të tjera, kemi edhe shefin e Misionit të OSBE këtu, që përfaqëson OSBE-në, por është gjerman.

Është eksperiencë e njohur në Europën e sotme, ku gjermanët janë gjithmonë më shumë se të tjerët, sepse vijnë edhe nga rrugë të tjera të jetës nëpër tavolinat e vendimmarrjes.

Dua të falënderoj edhe të gjithë ata që kanë ardhur nga rajoni, që nga kolegu serb në krah dhe të gjithë të tjerët që janë këtu të pranishëm.

Unë besoj shumë që ne mund të bëjmë së bashku pikërisht atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën. Sigurisht, ne mund ta bëjmë këtë në shkallën e rajonit dhe nuk është pak. Sepse mos harrojmë që ky është ai rajoni që quhej dhe mbeti për një kohë të gjatë me emrin “fuçia e barutit” të Europës, ky është ai rajoni ku plasi një luftë e parë botërore dhe ku lumenjtë e gjakut dhe hendeqet e dasive të forta për 1001 arsye kanë përcaktuar edhe raportet fqinjësore mes nesh për shumë e shumë vite me radhë.

Sot jemi në një kontekst tjetër. Kemi një atmosferë paqeje dhe ndërveprimi, pavarësisht se nuk jemi dakord me gjithçka mes njëri-tjetrit. Prandaj iniciativa të tilla janë kaq të vyera, sepse janë përpjekjet e duhura në rrugën e duhur, për t’i dhënë kësaj paqeje cilësinë e një bashkëpunimi të qëndrueshëm, e një ndërveprimi të harmonizuar në funksion të një rruge që për ne është qartësisht e përcaktuar, që është rruga e Bashkimit Europian. Ku, kur të arrijmë, shpresojmë t’ju gjejmë të gjithëve aty, që nga Franca e para, që ka edhe zgjedhjet vitin e ardhshëm", tha Rama. /albeu.com/

Shtuar më 08/12/2016, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori