Zymberi: Fazli Veliut i nevojitet psikiatër
Albeu.com
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nga Maqedonia ka dënuar ashpër deklaratat e Fazli Veliut, i cili ditë më parë deklaroi se ka në disponim një numër të konsiderueshëm të ushtarëve që janë të gatshëm të ndihmojnë kosovarët në luftë nëse Kosova nuk e fiton pavarësinë.OVL akuzon kreun e SHVL për deklarata të pamatura


nga Vedat MEMEDALIU, Koha
"Fazliut tanimë i nevojitet një psikiatër për ta këshilluar për deklaratat e pamatura të tij. I bëjmë me dije se nuk ka asnjë nënë shqiptare që do t'i jepte djalin Fazliut për të mbrojtur Kosovën, sidomos në këtë kohë kur e gjithë vëmendja e diplomacisë, politikës dhe shqiptarëve në përgjithësi është në pritje të statusit të Kosovës. Pa dyshim se deklaratat e tilla të Fazliut i bëjnë dëm politikës kosovare në arritjen e qëllimeve përfundimtare siç është pavarësia e Kosovës", ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i OVL-së, Abedin Zymberi.
Ai ka thënë se si shoqatë, kanë ndërmend dhe punojnë të ulin tensione e pakënaqësisë brenda shqiptarëve, ndërkohë që nuk duhet përmendur numra të ushtarëve vullnetarë për ta mbrojtur Kosovën në rast të ndonjë sulmi nga jashtë.
"Fazliu si duket nuk e di se Kosovën tanimë nuk e sulmon askush, e hiç më pak Serbia. Përmendja e numrave të ushtarëve shqiptarë të ish-UÇK nuk është mirë pasi edhe ai vet nuk e di saktë. Nëse vjen të ndonjë situatë e tillë, atëherë Fazliu mbetet nën hije, pasi atëherë aktivizohen të gjithë shqiptarët", ka deklaruar Zymberi, duke shtuar se "dihet se sa ushtarë Fazliu i ka në diskonim, pasi kjo shihet edhe nga kujdesja për invalidët dhe për familjarët e dëshmorëve, të cilët i nënçmuan plotësisht nga partia ku deputet është edhe kreu i SHVL-së. Ai thotë se përveç numrit më të madh të veteranëve të luftës që kjo shoqatë ka si anëtarë të regjistruar në OVL, akuzon kreun e SHVL-së, Fazli Veliu se akoma nuk e ka dhënë raportin e punës së kësaj shoqate për këto kohë sa ka udhëhequr ai.
"Edhe pse kemi kërkuar disa herë, Fazli Veliu asnjëherë që nga koha kur është emëruar kryetar i SHVL-së pa dijen e një numri të madh të ish-ushtarëve nuk ka dhënë raport për punën që ka bërë. Madje, nuk dihet se si përfundoi një shumë e madhe mjete financiare të dedikuara për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës. Si duket, Fazliut iu kanë harxhuar mjetet dhe tash tenton prapë duke tentuar të lajë veten me deklarata te pamatura dhe t'i mashtroj shqiptarët edhe një herë, por kjo valle më nuk i shkon jo Fazliut, por as Aliut", ka përfunduar Zymberi.
Shtuar më 15/07/2007, ora 18:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori