Zv.ministri i Drejtësisë ironizon shortin e Kuvendit: Shorti na doli kopil…
Arben Isaraj ka ironizuar shortin e Kuvendit të Shqipërisë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi duke deklaruar se në fund mes “kokës” apo “pilit”, shorti doli ”kopil”.

“Amerikani, që për tu marrë vesh me ne e ka mësuar mirë shqipen, thotë se sipas Kushtetutës në “short” na duhet edhe koka edhe pili. Shqiptari, ndryshe nga aleati i tij më i madh historik, thotë se sipas Ligjit në “short” nuk na duhet edhe koka edhe pili”-shkruan Isaraj.

Postimi i plotë

JE KOKË A JE PIL ?

Kur në pikën 3, të nenit të freskët 149/d56 , të gjithëpranuar dhe të gjithëvotuar të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet :

“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me SHORT, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me SHORT brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së SHORTIT si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.”

Kur në fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala “SHORT” nënkupton:
Një proces a mënyrë “për të caktuar a për të zgjedhur dikë, për të ndarë diçka me paanësi ndër dy a më shumë veta ose për të zgjidhur një çështje duke hedhur zare a një monedhë metalike (kokë a pil), duke tërhequr nga një letër, duke fshehur diçka në grusht etj”.

Na ndodh çudia e “keqkuptimit” të kuptimit të fjalës “SHORT”, si mënyra apo rruga e vetme kushtetuese e përzgjedhjes së antarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

AMERIKANI, që për tu marrë vesh me NE e ka mësuar mirë shqipen, thotë se sipas Kushtetutës në “SHORT” na duhet edhe KOKA edhe PILI.

SHQIPTARI, ndryshe nga aleati i tij më i madh historik, thotë se sipas Ligjit në “SHORT” nuk na duhet edhe KOKA edhe PILI.
E për të mos ta zgjatur dhe për ti rënë shkurt SHQIPTARI-t na thotë se më mjafton KOKA pa PILIN apo dhe PILI pa KOKËN.
E thënë shqip dhe shkurt “SHORT”-i kushtetues e do dhe KOKËN dhe PILI-n.

“SHORT”-i kushtetues pa KOKË dhe pa PIL nuk është gjë tjetër veçse KOPIL./albeu.com/


Shtuar më 07/02/2017, ora 13:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori