Zv/ministrja: Filloni kërkoni shtëpi, në hotel nuk rrihet prej panikut
Zv. ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi, e caktuar nga Shtabi i Emergjencës si përgjegjëse për strehimin është shprehur se hotelet janë të super mbushur me persona të prekur nga tërmeti saqë po bëhet edhe një rivlerësim i situatës së tyre.

Në një prononcim në emisionin “Repolitix”, Çuçi vuri afate për të sterehuarit në hotele teksa theksoi se aty nuk rrihet nga paniku, por nëse vërtet është e nevojshme.

Ndërsa ata që jetonin me qira, sipas zv/ministres pas festave duhet të gjejnë një banesë tjetër me qira. Çuçi shtoi se do të nisë një proces për të rivlerësuar dëmet në shtëpitë e të prekurve nga tërmeti dhe për të seleksionuar një pjesë e cila duhet të kthehet në banesë, në rast se ajo e fundit është e banueshme.

“Ka ende persona që mund të jenë në Shkodër, Vlorë ose Berat me vullnetin e tyre. Presin kthimin e tyre për të parë si do procedohet me ta. Ata që janë akomoduar në hotel kanë paraqitur një vërtetim se banesat e tyre është e pabanueshme. Aktualisht në Lezhë jemi 1306 persona. 2669 në Durrës.

Po presim të marrim dhe evidentimin nga Manza. Jemi duke e rivlerësuar edhe njëherë akomodimin e tyre. Në Lezhë kanë shkuar shumë persona që kanë mbetur pa banesë. Aktualisht janë një pjesë e banesave që i është bërë akt ekspertimi, që tregon nivelin e dëmtimit të banesës. Po bëjmë lidhje me personat që janë në hotel me banesën e tyre për të përcaktuar kohën që do të kalojnë në hotel. Ndërkohë që personave që janë me qira i është lënë afat deri pas festave që të gjejnë një banesë tjetër me qira.


Do të jenë në hotel vetëm ata që duhet të qëndrojnë në hotel. Ka nisur që nga dje marrja e vërtetimit që klasifikon nivelin e dëmtimit të banesës. E mirëkuptojmë panikun por hotelet janë të mbingopura dhe duhet të krijojnë hapësira për ata që kanë nevojë vërtetë. Banorët të cilët e kanë banesën të banueshme të konstatuar nga akti i ekspertimit si të banueshme duhet të jenë në banesë.

Nuk mund të qëndrohet në hotel për shkak të panikut. Askush nuk do të lërë rutinën e tij dhe banesën e tij. Ky hall i ka rënë të gjithë qytetit të Durrësit. Dje ka pasur një takim të Ramës me ndërtuesit se tashmë kemi të lidhur banesën me ndërtuesin e banesës që ata të përgjigjen për çdo dëm në banesë,”– tha Çuçi ndër të tjera.
Shtuar më 03/12/2019, ora 23:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori