Gjermania kërkon mjeshtra për rritjen e kanabisit, a do ta braktisin “çunat e Londrës” Anglinë?

Një kompani gjermane me bazë në Koln kërkon një “ekspert kanabisi” dhe për këtë ka bërë një shpallje zyrtare të vendit vakant.

Detyrat e këtij personi janë nuhatja dhe shijimi i kanabisit për të provuar cilësinë. Pagesa për këtë do të jetë 100 mijë euro në vit.

Kompania shpërndan kanabis mjekësor në farmacitë gjermane. Bima përdoret për trajtimin e disa dhimbjeve kronike.

“Ne po kërkojmë dikë që monitoron vazhdimisht standardet e kultivuesve tanë në vendet burimore të Australisë, Kanadasë, Portugalisë, Maqedonisë së Veriut dhe Danimarkës. Këtu në Gjermani, ai duhet të kontrollojë gjithashtu cilësinë e materialit të dorëzuar,” – u shpreh shefi i kompanisë David Henn.

“Kusht paraprak është që ai vetë të jetë një pacient aktiv me kanabis. Kjo është mënyra e vetme që ai mund të konsumojë legalisht kanabis në Gjermani,” – shtoi Henn.

Deri në këto momente më shumë se 100 njerëz kanë shprehur tashmë një interes.


Shtuar 14.03.2023 12:57