Zogaj: Viti ’97? Pse merreni me Harxhin, ne kemi Imamin
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha do të dorëzojë sot në presidencë katër propozimet e qeverisë së tij për ambasadorët e rinj jashtë vendit. Me mbylljen e diskutimeve në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme, propozimet Vili Minarrolli, Edith Harxhi, Mehmet Elezi si dhe Tatjana Kongoli do të jenë sot në mesditë në zyrën e Presidentit të Republikës Alfred Moisiu për dekretim.Do të jetë Moisiu ai që do të thotë fjalën e fundit për katër emrat e diplomatëve. Më problematikja cilësohet kandidatura e Edith Harxhit që është propozuar për ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë të fundit, kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme Preç Zogaj, gjatë fjalës së tij në mbrojtje të emërimit të Harxhit, është shprehur: “Nuk duhet të merret si kriter mendimi i një personi për një ngjarje apo qendrimet e tij, edhe Arben Imami ka thënë se për ngjarjet e 1997 përgjegjëse është e djatha, por në fakt ai është këshilltari kryesor i kabinetit qeveritar të dhjathtë”

Debati
“Ne vazhdojmë të jemi të mendimin se emrat që na keni sjellë janë propozime politike më shumë se profesionale, ndaj dhe ne jemi kundër”, tha anëtarja socialiste Arta Dade në mbledhjen e djeshme të zhvilluar me dyer të mbyllura. Krah saj doli dhe ish-Ministri i Jashtëm Kastriot Islami, i cili theksoi se ato duhet të ishin bazuar në kritere jo politike dhe se duhet të kenë më shumë eksperiencë në këtë fushë. Por për kryetarin e komisionit Preç Zogaj, kandidaturat janë shumë të mira dhe të përzgjedhura si dhe përmbushin kushtet për të qenë diplomatë. Për kundërshtimet e shprehura në komision, Dade u tregua shumë strikte që ato të përfshihen në raportin që do i dërgohet Moisiut. Ajo kërkoi që të jetë vetë prezente në hartimin e raportit në mënyrë që të mos harrohet asnjë rezervë që selia rozë ka për emrat e rinj.

Më e sulmuara Harxhi
Propozimi i Ministrit të Jashtëm, Edith Harxhi për ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u sulmua më shumë nga socialistët. Dade dhe Islami u kapën sërish dje tek qendrimet që Harzhi ka publikuar për ngjarjet në vitin 1997 dhe akuzat e saj ndaj vendeve fqinje dhe CIA-s, për mbështetje në këtë process përçarës, pas ndërhyrjeve të lobit grek-amerika, që Harxhi e quan komplot ndaj demokracisë shqiptare. “Përveç këtyre qendrimeve Harxhi nuk ka aspak përvojë në këtë fushë dhe për më tepër është e re në moshë për të marrë përsipër këtë detyrë”, tha Dade. Por sipas kryetarit Zogaj, shkrimet e saj dhe qendrimet për ngjarjet e vitit 97, nuk duhet të merren parasysh apo të quhen kriter pranimi apo jo. “Arben Imami ka deklaruar se për ngjarjet e 97-ës është përgjegjëse e djathta dhe aktualisht bën pjesë në kabinetin e qeverisë së djathtë”, tha Zogaj brenda mbledhjes, duke bërë krahasim se qendrimet personale nuk duhet të merren si kriter. Pas kësaj Dade dhe Islami u kapën tek mosha dhe përvoja e Harxhit, të cilat për kryetarin Zogaj nuk përbëjnë aspak pengesë.

2 qendrime
Raporti që Komisioni i Jashtëm do të dorëzojë tek Moisiu do të ketë qendrime të kundërta për katër emrat e propozuar për ambasadorë. Partia Socialiste nuk lëshon pe përsa i përket qendrimin të saj kundër propozimeve të sjella nga qeveria. Në pjesën e parë, në raport do të jepet vlerësimi i mazhorancës për emrat të cilat vlerësohen si më të mirët për të përfaqësuar vendin jashtë. Ndërkohë që në pjesën e dytë, do të përmblidhen rezervat e Partisë Socialiste, e cila i cilëson të gjitha kandidaturat si politike dhe jo profesionale. Në veçanti për Harxhin socialistët kanë shënuar në raport se ajo është e re në moshë dhe pa përvojë për një post të tillë.

Harxhi: Ambasada, si Konica
Edit Harxhi tha dy ditë më parë se ka për synim që të ngrejë nivelin e ambasadës sonë në SHBA në nivelin e ambasadorit tonë të parë në këtë vend Faik Konica. Sipas saj, Konica, jo vetëm që ka qenë mik i ish-presidentit amerikan të kohës, Uillson, por u bë edhe dekan i Trupit Diplomatik.
nga Rozeta Rapushi, GSh
Shtuar më 26/10/2005, ora 13:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori