Zjarr tek Ministria e Shëndetësisë? PD thotë se ka prova të reja dhe kërcënon me burg ministren
Ditën e sotme kryetari i PD-së Lulzim Basha gjatë një deklarate për mediat tha se tek Ministria e Shëndetësisë ka rënë zjarr, ngjarje, e cila sipas tij është fshehur nga qeveria.

Pak orë më vonë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përgënjeshtroi lajmin, duke thënë se nuk ka rënë asnë zjarr tek ky institucion.

Por kësaj deklarate i është përgjigjur sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.

Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Manastirliu gënjeu kur tha se nuk kishte rënë asnjë zjarr dhe paralajmëroi se provat do të publikohen ditën e nesërme.

"Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies", -thekson Bardhi.

Reagimi i plotë:

Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.

Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.

Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.

Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë!


Shtuar më 09/05/2020, ora 17:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori