Zjarr ne piken kufitare ne Zubin Potok
Albeu.com
Një zjarr ka shpërthyer në objektin e shoqatave të sigurimeve të Kosovës dhe të një kontejneri për shërbime të shpedicionit, në pikën kufitare të portës 31, në Brnjak, të Zubin Potokut. Me këtë rast, një punonjëse ka pësuar lëndime të lehta trupore, djegie në dorë, njofton Express.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 2, të mëngjesit të sotëm, njofton policia. “Në bazë të raporteve të para policore të siguruara nga hetuesit policorë mësohet se zjarri ka shkaktuar dëme materiale në objektet shoqatës së sigurimeve të Kosovës dhe të shërbimeve të shpedicionit, ndërsa një punonjëse e shoqatës së sigurimeve, një 21-vjeçare, e përkatësisë etnike serbe, ka pësuar lëndime të lehta trupore, djegie në dorën e majtë”, ka njoftuar Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.

Viktima e këtij incidenti, me ndihmën e një automjeti të policisë së EULEX-it, është transportuar deri në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok, për trajtim të lëndimeve.

Hetuesit policorë dhe teknikët e kriminalistikës nga Drejtoria rajonale e Policisë në Mitrovicë, bashkërisht me hetuesit policorë të Zubin Potokut dhe me asistimin e zyrtarëve të komponentës policore të EULEX-it, kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa shkaktari i zjarrit mbetet ende i papërcaktuar.

Një shpërthim, është raportuar të ketë qenë regjistruar gjatë zjarrit, por hetuesit policorë besojnë se bëhet fjalë për një bocë me gaz, e cila ishte në barakën e shoqatës së sigurimeve të Kosovës ndërsa kishte shpërthyer pasi ishte kapluar nga zjarri.

Policia e Kosovës ka iniciuar dhe është në zhvillim të hetimeve intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e paraqitura në rastin e regjistruar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Shtuar më 25/05/2010, ora 15:18
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori