Laporta: Xavi do të vendos nëse Dembele do të paraqitet këtë sezon për Barcelonën

Presidenti i Barcelonës Joan Laporta i është drejtuar sot mediave përmes një konference, ku ka folur për situatën momentale të sulmuesit anësorë Ousmane Dembele.

Në këtë afat kalimtar të transferimeve të janarit, Dembele nuk arriti të pajtohej me kushtet e kontratës së re të ofruar nga Barcelona, ndërsa kjo e fundit i dha ultimatum që ose të nënshkruajë kontratën e re ose të largohet nga klubi, përcjell KosovaPress.

Deri në orët e fundit të kësaj merkatoje, Dembele ishte në bisedime me shumë klube evropiane, por që asnjëra nuk mund të arrinte marrëveshje me Barcelonën.

Tani, rreth kësaj situate ka folur Laporta, duke treguar se trajneri Xavi do ta vendos nëse lojtari do të paraqitet këtë sezon apo jo.

“Ousmane Dembele nuk do të jetë me ne sezonin e ardhshëm, ndjej se ka një marrëveshje me një klub tjetër, kështu që do të jetë e vështirë ta shohim atë duke luajtur përsëri me Barçën”, tha Laporta.

“Sigurisht, Xavi do të vendos nëse Dembele do të luaj përsëri apo jo në këtë sezon”, shtoi presidenti i Barcelonës.

Sipas spekulimeve që po qarkullojnë, Ousmane Dembele pritet që në fund të këtij sezoni, ta vazhdojë të ardhmen e tij në Premier Ligën angleze.


Shtuar 2.02.2022 16:58