Zjarr masiv në Ibë, ministri Demiraj: I qëllimshëm!
Pak pas mesdite disa vatra zjarri janë shfaqur në një kodër me pisha pranë fshatit Ibë të Tiranës, buzë lumit Erzen.

Të favorizuara edhe nga era, flakët kanë përfshirë brenda një kohe të shkurtër një masiv të konsiderueshëm me pisha, duke u bërë një rrezik serioz për banesat.

Banorët e zonës nisën përpjekjet për shuarjen e zjarrit, për t’u ndihmuar më pas nga zjarrfikëset. Për shkak të terrenit u pa e nevojshme thirrja e një helikopteri, i cili mundësoi lokalizmin e flakëve dhe mospërhapjen e mëtejshme të tyre.

Operacionin për shuarjen e zjarrit e ka ndjekur nga afër me veprime konkrete edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme në këtë kodër.

“Unë gjykoj se s’mund të ketë qenë natyror sepse ishin 10 vatra zjarri. Pas paralajmërimit nga banorët morëm masa duke prerë zonën”, ka deklaruar Demiraj.

Demiraj i ka bërë apel banorëve që të ndihmojnë në shurjen e flakëve. “U bëj thirrje banorëve që të mos bëjnë spektatorin por të bashkohen me kovë, lopatë e të gjitha mjetet dhe të luftojnë zjarrin. Unë e kam detyrim të vij këtu”, ka thënë Demiraj.

Operacioni ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes pasi era rikativizon shpesh herë vatra të vogla zjarri. /tch/

Shtuar më 22/07/2017, ora 21:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori