Zhvlerësohet dollari, koha më e mirë për të blerë online
Pëlqej
Sot, për çdo 100 dollarë blerje, kurseni rreth 1900 lekë, në krahasim me një vit më parë…

Është fundi i vitit dhe të gjithë nxitojnë të bëjnë blerjet e fundit. Për ata që duan të bëjnë blerje online është momenti më i përshtatshëm.

Individët që kanë planifikuar të udhëtojnë jashtë në ditët në vijim apo ato që duan të bëjnë blerje online duhet të përfitojnë nga dita e fundit e vitit 2017, sidomos për mallra që blihen me dollarë.

Dollari i zhvlerësuar i ka bërë blerjet online më të lira për konsumatorët. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë dollari e mbyll vitin i nënçmuar, duke u këmbyer sot shumë pranë nivelit më të ulët të vitit.

Monedha e gjelbër shënoi rekordin më të ulët gjatë 2017-s në 7 shtator, kur u këmbye në nivelin e 110.6 lekëve. Sot, dollari u këmbye në nivelin e 111.1 lekëve. Brenda një jave (18-29 dhjetor) monedha e gjelbër është zhvlerësuar me gati 2 lekë.

Nënçmimi i dollarit në tregun vendas ka ardhur si reflektim i zhvlerësimit të dollarit në tregjet ndërkombëtare. Sipas Financial Times, këmbimi i euros me dollarin po i afrohet nivelit më të lartë të viti prej 1.2 dollarë.

Zhvlerësimi i dollarit në vend ka ardhur kryesisht prej nivelit të ulët të këmbimit të euros me monedhën vendase, e cila zbriti sërish nën nivelin e 133 lekëve gjatë festave.

Në krahasim me një vit më parë, kur këmbehej me rreth 100 lekë dollari është zhvlerësuar ndjeshëm. Sot, për çdo 100 dollarë blerje, kurseni rreth 1900 lekë, në krahasim me një vit më parë.

Euro shënoi ditën e tretë radhazi me rritje, por pa mundur që të kapërcejë pragun e 133 lekëve. Monedha e përbashkët europiane filloi që të forcohej lehtë pas përfundimit të Krishtlindjeve duke ndjekur trendin e saj historik.

Sipas ekspertëve, nëse do të ndiqet tendenca e çdo viti, pas përfundimit të efekteve sezonale në vend, euro nis të forcohet përgjatë janarit, kryesisht për shkak të rënies së qarkullimit të parasë, dhe aktivitetit më të ulët tregtar.

Megjithatë edhe pse në rritje, blerja e euros këto ditë është e favorshme, pasi ajo ende këmbehet në nivele të ulëta.

Megjithatë ekspertët tregohen të rezervuar në spekulimin me kursin e këmbimit, pas gjithnjë mund të ketë surpriza.

Nëse euro i nënshtrohet trendëve historike, spekulantët e kursit të këmbimit duhet të shfrytëzojnë ditët e fundit të dhjetorit.

Për sa i përket dollarit, niveli i tij i këmbimit me lekun është reflektim kryesisht i zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Zhvillimet politike në Europë, por edhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera, mund të ndikojnë në raportin e këmbimit euro/dollar. /Monitor/
Shtuar më 29/12/2017, ora 15:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori