Zhvillimet politike të ditës (FOTO-LAJM)

Deklarata e Presidences rreth takimit

Në bazë të propozimit të paraqitur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi sot emërimin e zotit Edi Rama si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe e ngarkoi atë me formimin e qeverisë së re.

Gjatë takimit Presidenti Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij. Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional.
E martja mund të cilësohet si një ditë me zhvillime të shumta politike. Mëngjesin e sotëm kryeministri i ri Edi Rama zhvilloi një takim me Presidentin Bujar Nishani prej të cilit mori edhe bekimin për krijimin e qeverisë së re. Në takimin e zhvilluar në Presidencë, Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij të re ndërsa dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional.

Pasi futi në "xhep", dekretin e Presidentit, Rama niset drejtë Kuvendit ku në orën 11:00 nisi seanca e dytë plenare pas asaj të një dite më parë.

Nën drejtimin e deputetit më të vjetër Namik Dokle, gjatë seancës të gjithë deputetët kanë bërë betimin. Në këtë seancë është zgjedhur edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta i cili arriti të marrë 91 vota.

Në seancë morën pjesë edhe deputetët e djathtë me në krye ish-kryeministrin Berisha i cili këtë 4-vjeçar do të duhet të ulet përkrahë tyre në parlament.

Pas përfundimit të seancës plenare, deputetët e Partisë Demokratike do të largohen drejtë selisë së PD-së për të zhvilluar mbledhjen e grupit parlamentar e cila do të udhëhiqet nga kreu i kësaj partie Lulzim Basha. Në përfundim të saj në një deklaratë për mediat, Basha do të akuzojë mazhorancën e re se nuk po tregohet transparente ndaj qytetarëve dhe opozitës duke shtuar se kjo e fundit po përballet me një mendësi të vjetër komunikimi.

Tetë votat që Meta mori nga e djathta në votimin në Parlament detyrojnë PDIU dhe PR të njoftojnë përmes deklaratave për media, se përfaqësuesit e ketyre forcave politike kanë votuar kundër kandidaturës së Ilir Metës për kryetar të Kuvendit, duke lënë kështu të nënkuptuar se votat kanë rrjedhur nga PD.

Nuk përfundon me kaq, Partia Socialiste mbledh grupin e saj parlamentar në orën 18:00 ku pritet të vendoset për kryetarët dhe anëtarët që do të përbëjnë komisionet kuvendore. /albeu.com/



















Shtuar më 10/09/2013, ora 18:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori