Zhdukja e Remzi Hoxhës, pas kontrabandës së naftës me Arkanin
Albeu.com
Mediat maqedonase investigojnë zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas, Remzi Hoxha. Në një shkrim investigativ të gazetës "Koha" hidhet dritë mbi arsyet e zhdukjes së Hoxhës.Sipas gazetës, biznesmeni kishte filmuar Arkanin në Shkodër i cili vinte shpesh në Shqipëri pas kontrabandës së naftës mes Shqipërisë dhe Serbisë, në vitet 1993-1996 për llogari të Millosheviqit.

Gazeta e lidh rrëmbimin, torturën dhe më pas zhdukjen e tij, pasi biznesmeni ra në gjurmë të kontrabandës së naftës që ish-zyrtarët e lartë të asaj kohe në vend bënin me Serbinë në vitet 1993-1996.

Autori i shkrimit rrëfen i bindur mbi ekzistencën e kësaj kontrabande kur siç shprehet ai, gjysma e djathtë e rrugës nacionale që shkonte nga Shkodra drejt Hanit të Hotit ishte e pikturuar me gjurmët e naftës.

Zhdukja e Hoxhës sipas shkrimit e ka zanafillën pikërisht më 1994, menjëherë pas takimit të ish- presidentit Berisha me homologun e tij malazez Bullatoviq, takim i cili u pasua me një kontrabandë të fuqishme nafte në favor të Millosheviqit.

Pikërisht në këtë periudhë Zeljko Razhnjatoviq ose i mbiquajturi Arkani hynë lirshëm në Shqiperi dhe kishte dijeni për kontrabandën e naftës.

Madje në shkrim citohet fakti se Arkani ka qenë në Shqipëri edhe më 1994 ku fjeti një natë në një hotel në Shkodër dhe më pas vazhdoi itinerarin drejt Jugut të Shqipërisë, për të dalë nga kufiri përmes Qafë Thanës.

Pikërisht kjo vizitë e Arkanit u fiksua nga biznesmeni Hoxha, që siç thuhet në gazetë, ishte një kuadër i zbulimit të UÇK-së, e cila atëherë ishte në ilegalitet.

Hoxha madje kishte arritur edhe të filmonte Arkanin teksa darkonte me ish-funksionarë të lartë të SHIK-ut në Shkodër.

Pikërisht menjëherë pas kësaj, në tetor të 1995, Hoxha rrëmbehet për të mos u parë më deri tani, kur për zhdukjen e tij drejtues të lartë të SHIK-ut janë vënë nën akuza.

Qeveria shqiptare thuhet në një prej paragrafëve përmbyllës të këtij shkrimi investigues, duhet ta ketë detyrë shtëpie zbardhjen e krimit të 13 viteve më pare. (news24)
Shtuar më 19/05/2008, ora 19:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori