“Mos prisni befasi nga takimi i 4 shtatorit, Serbia mund të pranojë se e humbi Kosovën”

David Phillips, drejtor i Institutit për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbisë, ka thënë se nuk priten surpriza nga takimi i 4 shtatorit në Uashington me Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se do të duhet kohë dhe presion më i rreptë që Serbia të pranojë se e humbi Kosovën si rezultat i krimeve të Sllobodan Millosheviçit, përcjell Bota sot.

Megjithatë, sipas tij, tani është një moment i mirë për dialogun mbi marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Javën e kaluar ministri i ri i jashtëm i Kosovës ishte në Shtetet e Bashkuara. Javën tjetër, do të ketë një takim të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Një përpjekje për të rifilluar një proces të ndërprerë të negociatave të udhëhequr nga SHBA. Duket si një moment i mirë për të hedhur një vështrim mbi marrëdhëniet midis dy vendeve. Dialogu është gjithmonë më i preferueshëm se konflikti. Por, mos prisni befasi në takimin e 4 Shtatorit. Diplomacia është një proces, jo një ngjarje. Do të duhet kohë dhe presion më i rreptë që Serbia të pranojë se e humbi Kosovën si rezultat i krimeve të Millosheviçit”, ka deklaruar Phillips në një intervistë për Ilirianews.

Eksperti amerikan ka thënë se megjithë përpjekjet e Serbisë, pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet kurrë.

Ai ka theksuar se njohja e ndërsjellë mund të arrihet përmes një angazhimi më të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara në dialogun Beograd-Prishtinë.

“Pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet kurrë, megjithë përpjekjet e Serbisë për të parandaluar që Kosova të fitojë njohje më të madhe globale. Njohja e ndërsjellë mund të arrihet përmes një angazhimi më të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara në dialogun Beograd-Prishtinë. Ai gjithashtu kërkon një bashkëpunim më efektiv transatlantik midis SHBA. dhe BE-së, përfshirë shtetet kryesore anëtare si Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar”, është shprehur David Phillips.


Shtuar 31.08.2020 07:47