"Arrest në burg" për Mark Frrokun
Update - Gjykata e Lartë ka dhënë masën "Arrest në burg" për Mark Frrokun. Pas dhënies së vendimit, avokatët mbrojtës u shprehën se janë të befasuar nga dhënia e kësaj mase sigurie.

"Arrestimi i klientit tonë është i paligjshëm, pasi për të nuk ka asnjë prove", thane avokatët mbrojtës.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak, sipas Prokurorisë, të ruajtjes së sekretit hetimor.

13:20- Mark Frroku me pranga në gjykatë

Gjykata e Lartë po zhvillon me dyer të mbyllura seancën për masën e sigurisë për deputetin Mark Frroku.

Pas kërkesës së akuzës, trupi gjyqësor ka vendosur që seanca të bëhet e mbyllur, ndërsa është pranuar edhe kërkesa e mbrojtjes për njohjen me aktet e Prokurorisë. Frroku mbërriti në orën 12:20 në gjykatë, i shoqëruar nga forca policie dhe i prangosur.

11:27- Zgjidhet trupi gjykues për Frrokun, në mesditë caktohet masa e sigurisë

Gjykata e Lartë do të vendosë sot në orën 12:30 masën e sigurisë për deputetin Mark Frroku. Mëngjesin e sotëm është hedhur në Gjykatën e Lartë shorti që ka përcaktuar anëtarët e kolegjit penal që do të vlerësojë masën e sigurisë ndaj deputetit Mark Frroku.

Përmes shortit është zgjedhur relator Artan Broci, ndërsa anëtarë janë Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj dhe Tom Ndreca. /albeu.com/


Shtuar më 03/04/2015, ora 16:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori