Caktohet trupa e re gjykuese që do të vendosë fatin e Emiljano Shullazit
Procesi për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda do të rinisë me një trupë të re gjykuese.

Burime nga kjo gjykatë bëjnë me dije se gjyqtari i tretë që do t’i bashkohet Saida Dollanit dhe Albana Boksit do vendoset në mbledhjen e 20 majit që do të zhvillojë Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këshilli do të delegojë një gjyqtar nga gjykatat e Apelit, pasi gjyqtarët e Gjykatë së Apelit për Krime të Rënda janë ezauruar.

Procesi në Apel për grupin e "Shullazit" nuk ka nisur për shkak të largimit nga trupa gjykuese e dy gjyqtarëve të çështjes. Ligji parashikon se kur ndryshohen dy nga anëtarët e trupës gjykuese, procesi duhet që të nisë nga e para.

Dy gjyqtarët e larguar janë Fehmi Petku që u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Nure Dreni që u dorëhoq për shkak se kishte shqyrtuar një çështje tjetër në lidhje me Shullazin, shkruan abcnews.

Më herët është dorëhequr edhe Sokol Binaj, por pa shpjeguar arsyen. I pandehuri Blerim Shullazi ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës gjyqtaren Saida Dollani për shpërdorim detyre dhe ka kërkuar përjashtimin e saj me arsyetimin se e ka gjykuar në një tjetër proces. Grupi i Emiljano Shullazit u dënua në shkallë të parë me 55 vite burg. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2019, ora 16:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori