Zgjidhet kryesia e re e PS, mungon Nano, tërhiqet Meidani
Albeu.com
Kryetari socialist Edi Rama siguroi mbështetjen e dytë me radhë brenda një jave për të refromuar forumet e partisë që kaloi në opozitë pas 8 vjetësh qeverisjeje. Rama hodhi në votimin e djeshëm në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues një listë të përbërë nga 25 emra dhe të hartuar më parë së bashku me Sekretarin e ri të Përgjithshëm, Pandeli Majko.136 anëtarët e KPD-së i dhanë mbështetjen e tretë radhazi Ramës, përfshi mbledhjet e 17 shtatorit dhe 3 tetorit, duke votuar të propozuarit e listës së tij dhe Majkos, pavarësisht se një pjesë e të "kërkuarve” nuk janë në kryesinë e re. Por këtyre kandidatëve salla, me një konsesus të plotë të Ramës, i shtoi edhe 11 emra të tjerë. Kjo është hera e parë që në PS kryetari tregohet fare i hapur për të shtuar në radhët e kandidatëve propozime të lira nga salla. Fillimisht Rama kishte thënë se do të propozohej lista nga ai dhe Majko, por më pas u lejua që të bëheshin edhe propozime nga salla. Luan Rama dhe Petro Koçi kanë kërkuar që të kishte qartësim të qëndrimit për kryesinë e vjetër për "mandat i depozituar”, "dorëheqje”, "votëbesim”, pasi duhet të ishte çdo procedurë në përputhje me statutin. Por, kjo është kaluar dhe kanë nisur propozimet. Këto janë përcjellë përgjithësisht pa tensione, tek-tuk me ndonjë qejfmbejtje që është zgjidhur me rrugën e një propozimi në vazhdim nga anëtarë të KPD-së. Edi Rama, tha se lista me emrat e kandidatëve për anëtarë të kryesisë së re do të jetë gjithëpërfshirëse. Rama theksoi më tej se nuk do të ketë marrëveshje grupesh e klanesh dhe premtoi pjesëmarrjen e më shumë grave në përbërje të kryesise. Në përfundim të votimit KPD-ja zgjodhi 19 emrat që do të përfaqësojnë forumin më të lartë të socialistëve. Pas procesit të votimit dhe numërimit të votave qe ka zgjatur rreth 3 ore nga 35 (Meidani u tërhoq) kandidaturat e propozuara kane rezultuar fitues emrat: Arta Dade, Arben Malaj, Artan Nelaj, Bashkim Fino, Blendi Klosi, Ben Blushi, Erjon Braçe, Gramoz Ruçi, Ilir Zela, Musa Ulqini, Namik Dokle, Saimira Pino, Viktor Doda, Vjollca Ibro, Ylli Bufi, Ermelinda Meksi Vali Leskaj. Nga votat e numeruara rezultoi se me i votuari ishte Namik Dokle me 95 vota, qe pasohej me Gramoz Ruçin, i cili mori 93 vota dhe me pas Ilir Zela me 90 vota. 17 te zgjedhurve iu bashkangjiten edhe Edi Rama e Pandeli Majko, te cilet jane automatikisht anetare te kryesise se partise. Votimi dhe renditja e përfundimtare me numrin e votave të fituara tregon se 10 anëtarë të kryesisë së re janë edhe ish-anëtarë të kryesisë së vjetër që depozitoi mandatin këtë javë.


Të tërhequrit
Ish-presidenti dhe dy herë i humbur në garën për kryetar, Rexhep Meidani, ka deklaruar tërheqjen nga propozimi për anëtar kryesie, pasi ishte përfshirë në listën e Ramës dhe Majkos. Kryetari Rama tha se kishte biseduar në telefon me Meidanin dhe ai i kishte kërkuar moskandidimin. Tërheqje bëri edhe Petro Koçi, sipas të cilit "nuk është e nevojshme që të jesh anëtar kryesie për të dëshmuar nivel të lartë përgjegjshmërie dhe investimi praktik qoftë në nivel opozitar në parlament apo edhe në proceset e brendshme partiake”. Një tjetër që nuk garoi ishte Anastas Angjeli, i cili u propozua nga ish-prefekti i Tiranës, Lili Nushi për në kryesi.


Konsensusi
17 anëtarët e kryesisë së re në një shikim të përgjithshëm duket se janë garant të barazpeshave të të dy grupimeve në parti, pavarësisht se kjo është hedhur poshtë të jetë ekzistente. Kryetari Rama thotë: "…një fakt që për mua personalisht nuk ekziston. Pra, të faktit që në këtë KPD ka grupe, rryma e kështu me radhë. Për mua personalisht, këto grupe dhe rryma janë thjesht dhe vetëm fantazi dhe nuk kanë të bëjnë me perceptimin tim”.


Debate dhe tension
Mbledhja u përfshi hera-herës nga debatet, por këto nuk kanë ndikuar në ecurinë e saj. Ethem Ruka ka kërkuar shpjegime se përse në listën e propozuar nga Rama e Majko një pjesë e madhe e emrave ishin anëtarë edhe të kryesisë së vjetër. Me afërsi, Ruka është shprehur se "nuk e di se si është konceptuar reformimi, kur ka vetëm 2-3 emra që janë lënë jashtë nga kryesia e vjetër. Nëse kjo është bërë për këta 2-3, atëherë na thoni arsyet”. Më pas Ruka është përfshirë në fletën e votimit me propozimin e Servet Pëllumbit, Agim Leka kryetar i degës së Elbasanit me propozimin e Ndriçim Hysës dhe Agron Dibra me propozimin e kreut të degës së Lezhës, Agustin Marku. Ndërkohë, pothuajse asnjëherë nuk ka folur kryeredaktori i gazetës së partisë, "Zëri i Popullit”, Erion Braçe dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, Ruçi.


Humbësit
Ka ndër ta edhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Ramës, sikurse është Fatmir Xhafaj, i cili mori 44 vota, Taulant Dedja me 48, Eva Allushi me 53, Kastriot Islami me 51 dhe Adriana Berberi me 39 vota. Por, ka edhe nga "nanoistët” që janë lënë jashtë si Makbule Çeço me 38 vota, Sherif Bundo me 45, Agron Dibra me 51, Luan Rama me 44 dhe Ethem Ruka me 30 vota. Votimi i qetë ka shënuar gjithsej 120 fletë të hedhura në kuti, mes të cilave dy kanë qenë të pavlefshme. 16 anëtarë të KPD-së kanë munguar në mbledhje.
Denion Ndrenika, Shekulli
Shtuar më 16/10/2005, ora 18:42
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori