Zgjerohen varrezat në Tiranë, tani edhe varre murale
Pëlqej
Shumë shpejt në Tiranë do të fillojnë të aplikohen varrezat murale. Kjo nismë është marrë për të shmangur kaosin e krijuar në varrezat publike. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, gjatë inspektimeve të punimeve për zgjerimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës, ka deklaruar se do të zgjerohet sipërfaqja e varrezave duke i dhënë një zgjidhje këtij problemi për disa kohë.

"Me një investim prej 3 milion dollarësh Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës. Projekti parashikon rehabilitimin, sistemimin, ndriçimin, gjelbërimin, shtrimin e rrugëve të brendshme rrethimin e jashtëm, ofrimin e sipërfaqeve për shërbimet e fundit, për familjet gjithashtu. Projektet për të dy varrezat parashikon zgjerimin me një sipërfaqe afër 10 mijë metër katror këtu në Tufinë, dhe 15 mijë metër katror, në Sharrë. Projekti parashikon edhe varrezë murale, dhe mendoj se nëpërmjet kombinimit të këtyre gjetjeve, ne mund të kursejmë edhe vend, dhe të ofrojmë shërbimin e duhur për qytetarët e Tiranës", u shpreh Enno Bozdo.

Numri dy i Bashkisë nuk ka lënë pa hedhur akuza mbi Kryeministrin për bllokimin e një sërë projektesh mjaft të rëndësishme për qytetarët.

"Zbatimi i projektit nisi pas zhbllokimit nga Gjykata të buxhetit të Bashkisë, i cili u mbajt i bllokuar nga kryeministri Rama për rreth 7 muaj. Bllokimi i buxhetit solli përveç bllokimit të investimeve dhe bllokimin e shtimit të hapësirës së varrezave në Sharrë dhe Tufinë. Bllokimi i varrezave nga kryeministri Rama është një akt i paprecedent në botën e qytetëruar", shtoi Bozdo.

Para disa muajve në Tiranë, varrezat publike u mbyllën, pasi nuk kishte më vende të lira dhe nuk kishte fonde për shpronësimet. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori