Zgjedhjet të përsëriten në 54 zona
Albeu.com
Është mbyllur dje afati i depozitimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i kërkesave për pavlefshmëri të procesit zgjedhor në zona të ndryshme të vendit. Socialistët kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme në 31 zona, ndërsa demokratët në 7.Sipas burimeve zyrtare nga KQZ-ja, janë 54 kërkesa të ndryshme të ardhura gjatë këtyre ditëve, nëpërmjet të cilave subjektet zgjedhore apo kandidatët kanë kërkuar pavlefshmëri të pjesshme apo edhe të plotë në zona të caktuara të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut. KQZ-ja ka rrëzuar 3 ankesa, për shkak se ankuesi nuk legjitimohej si dhe 4 të tjera për shkak të formës së parregullt të ankimimit. Pra, siç shihet, subjektet zgjedhore kanë kërkuar pavlefshmëri në gjysmat e zonave elektorale në vend. Në listën e kërkesave për pavlefshmëri, bie në sy fakti se PS-ja ka depozituar numrin më të madh të tyre, përkatësisht 31 të tilla, që janë bërë në emër të subjektit dhe vetëm një pjesë prej tyre nga kandidatët, të cilët në të shumtën e rasteve kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë zonën. Ndërsa kandidatët e PD-së dhe ky subjekt zgjedhor ka depozituar kërkesë për pavlefshmëri për 7 zona zgjedhore dhe pjesa tjetër u përket subjekteve dhe kandidatëve të PBDNJ-së, LSI-së, e ndonjë kandidati të pavarur. Ndër ankesat ku PS-ja kërkon pavlefshmërinë është edhe zona 31 në Tiranë, ku ka fituar kandidati i PD-së, Bamir Topi, me 53,35 % të votave, përballë përfaqësueses socialiste Mimi Kodheli, e cila ka marrë 33,36 % të votave. Për Tiranën është kërkuar pavlefshmëria në zonët 33, 34 e pjesëshme, 43, 32, 41 dhe zonën 45.
Rastet
Institucioni zgjedhor do të fillojë shqyrtimin e kërkesave për pavlefshmëri gjatë javës së ardhshme, vetëm pasi të kenë përfunduar shqyrtimi i ankesave për kundërshtimin e tabelave të rezultateve për kandidatët dhe për proporcionalin. Zona që rrezikon seriozisht përsëritjen e zgjedhjeve për shkak të parregullsive të shumta që u vërejtën në 3 korrik, por edhe gjatë numërimit të votave, është zona elektorale 2 në Malësinë e Madhe. Në këtë zonë, në 17 qendra votimi nuk është zhvilluar votimi, pasi anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit nuk tërhoqën materialet zgjedhore, duke bllokuar pa shkak zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Por edhe kandidati i PS-së që kandidon në këtë zonë, Pal Lera, ka kërkuar në KQZ që edhe në ato qendra ku është zhvilluar votimi, të shpallet pavlefshmëria. Lera kandidon përballë demokratit Astrit Bushati, kryetar i PD-së së Shkodrës, i cili nga votimi i pjesshëm që është zhvilluar, është në avantazh me vota. Për këtë zonë zgjedhore KZZ-ja nuk ka marrë asnjë vendim as për votimin e pjesshëm të zhvilluar, pasi komisionerët nuk kanë pranuar të firmosin tabelat e rezultateve. Ndërkohë edhe disa anëtarë të KQZ-së kanë pohuar jozyrtarisht se ka shumë gjasa që në këtë zonë të ribëhen zgjedhjet nga e para, për shkak të problemeve të mëdha që u vërejtën si gjatë votimit, ashtu edhe gjatë numërimit. Edhe disa zonë të tjera problematike, siç është zona 64, 73, 90, 92 apo edhe në ndonjë zonë tjetër tjetër, mund të ketë pavlefshmëri të pjesshme, gjë që e kanë kërkuar subjektet zgjedhore dhe kandidatët. Në rast se KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor do të zyrtarizojë pavlefshmërinë në ndonjë zonë, kjo do të zgjasë pafundësisht procesin zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare. Madje kohëzgjatja mund të jetë e njëjtë si në vitin 2001, kur zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në disa zona, me 5 raunde votimesh.

Kërkesat e PS-së për pavlefshmëri:
Kandidati Pal Lera për zonën 2.
Kandidati Igli Toska për zonën 34, të pjesshme
Kandidati Zef Preçi për zonën 13
Kandidati Maqo Lakrori për zonën 86
Kandidati Artan Lame për zonën 49, të pjesshme
Kandidati Asllan Dogjani për zonën 12
Kandidati Fehmi Xhemo për zonën 84
Kandidati Ahmet Hoxhallari për zonën 81
Kandidati Bujar Derveni për zonën 23
Kandidati Agim Isaku për zonën 87
Kandidati Shyqyri Duraku për zonën 43
Kandidatja Mimi Kodheli për zonën 31
Kandidati Lekë Çukaj për zonën 3
Kandidati Ali Berbati për zonën 10
Kandidati Luan Rama për zonën 32
Kandidati Arben Ahmetaj për zonën 33
Kandidati Qazim Sejdini për zonën 54
Kandidati Hasan Hoxha për zonën 47
Kandidati Bashkim Habilaj për zonën 96
Kandidati Ramadan Hasanaj për zonën 5
Kandidati Mark Nikolli për zonën 15
Kandidati Agron Dibra për zonën 50
Kandidati Lulëzim Traga për zonën 27
Kandidati Gjergji Koja për zonën 29
Kandidati Myzelejen Hoxha për zonën 71
Kandidati Rexhep Ukperaj për zonën 11
Kandidati Kastriot Islami për zonën 73
Kandidati Spartak Poçi për zonën 41
Kandidati Mehmet Hasanlami për zonën 45
Kandidatja Makbule Çeço për zonën 90, të pjesshme
Kandidati Viktor Doda për zonën 9


Kërkesat e PD-së për pavlefshmëri:
Kandidati Edi Paloka për zonën 37
Kandidati Bexhet Uruçi për zonën 58
Kandidati Luftim Ahmetaj për zonën 46
Kandidati Ilir Bano për zonën 64
Kandidati Shaban Memia për zonën 36
Kandidati Neshat Fana për zonën 22
Kandidati Ismail Hoxha për zonën 82


Të tjera
Kandidati Anton Gurakuqi për zonën 8, të pjesshme
Kandidatja Esmeralda Uruçi për zonën 3, LSI
Kandidati Spiro Ksera për zonën 92, PBDNJ
Kandidati Thoma Miço për zonën 100, i pavarur


Neni 117 “Pavlefshmëria e zgjedhjeve”
1. Subjektet zgjedhore, brenda 10 ditëve nga data e zgjedhjeve ose brenda 10 ditëve nga data e përsëritjes së zgjedhjeve, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi, në njësi të veçanta zgjedhore ose në të gjithë vendin.
2.KQZ-ja i shpall zgjedhjet të pavlefshme në rase se:
a) Kanë ndodhur shkelje të ligjit
b) Kanë ndodhur fatkeqësi natyrore në përmasa të tilla që pengojnë pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim
c) Votimi nuk ka filluar ose është pezulluar për më shumë se 6 orë ;
dhe për cilindo nga këto shkaqe është cënuar procesi zgjedhor në një masë të tillë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në në njësitë zgjedhore ose në shkallë vendi.
3. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.
4. KQZ-ja merr vendim për pavlefshmëri pas konsultimeve me KZZ-të përkatëse. Në arsyetimin e vendimit të KQZ-së duhet të përshkruhet shkaku ligjor, rastet e vërtetuara të shkeljeve dhe arsyetimi i detajuar për pasojën e tyre.
5. KQZ-ja ka të drejtë të vendosë mospërsëritjen e zgjedhjeve në rast se vërteton se shkeljet nuk mund të kenë ndikuar mbi ndarjen e mandateve në njësitë zgjedhore në shkallë vendi.
nga Anila Rama, Shekulli
Shtuar më 14/07/2005, ora 15:14
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori