Zgjedhjet, Rama: Korça të zgjedhë mes planit të së ardhmes dhe politikës së dështuar
Disa orë para përmbylljes së fushatës zgjedhore për kryebashkiakun e ri të qytetit të Korçës, Kryeministri Edi Rama përmes rrjetit Facebook i bën thirrje qytetarëve të Korçës të votojnë kandidatin e majtë.

"Sot në orën 17:00 në Korçë mbyllet fushata zgjedhore për kryebashkiakun e ri të qytetit të rilindur nën drejtimin vizionar të Niko Peleshit. Suksesi në qeverisjen e Korçës, aftësia e spikatur si menaxher dhe talenti në komunikim bënë që Niko Peleshit t'i binte barra e përgjegjësisë së lartë të zëvendës kryeministrit në përpjekjen tonë të përbashkët për të rilindur Shqipërinë. Dhe të dielën Korça duhet të votojë sërish për të zgjedhur mes vazhdimit të projektit të Nikos tanimë me mbështetjen e fuqishme të qeverisë së re të PS-LSI dhe kthimit pas, në rrugën e humbur të Partisë Demokratike - mes Sotiraq Filos, njeriut që në krah të Niko Peleshit ndoqi plot projekte dhe tanimë ka në dorë gjithë planin e punës për të ardhmen, dhe një tjetri që s'mund t'i ofrojë Korçës asgjë më shumë se politikat e dështuara të humbësve të 23 qershorit. Do të jemi sot pasdite në Korçë për të folur konkretisht për punët e mëtejshme për Korçën nën drejtimin e një kryebashkiaku të ri që do të çojë më tej punën e shkëlqyer të Niko Peleshit, bashkë me Nikon e gjithë ne të tjerët në Tiranë" shkruan Rama në Facebook. /albeu.com/
Shtuar më 01/11/2013, ora 11:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori