Kandidati i Partisë Socialiste për postin e kryetarit të Bashkisë së Korçës,
Sotiraq Filo, fton për bashkëpunim Frymën e Re Demokratike dhe partitë e tjera. Në një takim elektoral të zhvilluar sot në Korçë, Filo theksoi: "Të ecim në rrugën e drejtë, t’i bashkohemi progresit".
Nënkryetari aktual i Bashkisë së Korçës,
Sotiraq Filo kandidon për postin e kryetarit në zgjedhjet e 3 nëntorit, përballë kandidatit të PD-së
Sotiraq Stradobërdha.
Në garë ishte regjistruar edhe përfaqësuesja e FRD-së, Brikena
Zeneli, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e përjashtoi pas kërkesës së PD-së.
Partia Demokratike kishte depozituar në KQZ kërkesën ankimore për përjashtimin e kandidates së FRD-së nga gara, me argumentimin se kanë konstatuar një mangësi në regjistrimin e kandidates nga KZAZ-ja e Korçës, kërkesë që u pranua nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve.
Sipas kërkesës së demokratëve, regjistrimi i Zenelit është bërë në kundërshtim me ligjin zgjedhor, pasi nuk janë respektuar përcaktimet që bën ai sa i përket paraqitjes së firmave mbështetëse për partitë që s’janë të përfaqësuara në Parlament.
Më konkretisht ata argumentuan se
Zeneli, si kandidate e mbështetur nga FRD-ja, e cila nuk përfaqësohet në Kuvend, duhej të paraqiste 1% të firmave të të gjithë zgjedhësve të Bashkisë Korçë, çka korrespondojnë me rreth 712 firma. Mësohet se
Zeneli ka paraqitur 759 forma mbështetësish, pra më shumë sesa ka qenë limiti i kërkuar. /albeu.com/
Shtuar më 27/10/2013,
ora 14:43