"Zgjedhjet" ne FRPD, një shans i humbur!
nga Aulon Kalaja -
Të shtunën u zhvilluan zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ndërsa të dielën u shpallën listat e fituesve, ku nga 361 kandidatë arritën të emëroheshin 145. Para një javë unë kisha shkruar në lidhje me këtë ngjarje domethënëse në PD, por sigurisht edhe më gjërë. Sepse të rinj dhe të reja të zakonshëm të këtij vëndi, ishin tërë sy e veshë se cfarë do të nxirte ky kuvend të rinjsh demokratë.

Ndër të tjera në shkrimin tim ngrija 5 cështje:

1 – A do të ketë zgjedhje, apo do të ketë emërime, për Këshillin Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë?

2 – A do të ketë në listën që do të shpallet për t’u votuar edhe emra të tjerë që kanë dhënë kontribut në FRPD, por që nuk janë propozuar nga kryesitë e degëve?

3 – A do të numërohen votat, cdo votë dhe a do të shpallen rezultatet e sakta? Pra a do të kemi një listë fituese me emra dhe votat respektive për cdo kandidat. Apo do të kemi një listë fituese sipas rendit alfabetik të pjesmarrësve në garë dhe jo me sa vota ka marë secili?!

4 – A do të jetë ky proces transparent për kandidatët dhe median, në rast të ndonjë pretendimi, për gabime në numërim, e të tjera si këto?!

5 – Ndërsa kur të zgjidhet ky ekip i Këshillit Kombëtar të FRPDSH, do të vijnë pyetjet pasuese, nese do të ketë apo jo, zgjedhje për Sekretar të Përgjithshëm, Sekretar Organizativ dhe integralet e një strukture qëndore forumi. Përgjigje të cilat i mora nga këto zgjedhje, por mbi të gjitha i morën të rinjtë garues, e që sigurisht nuk mund të jenë përgjigjet e duhura, për një parti që trumpeton të kundërtën e asaj c’ka ndodhi. Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, përshëndeti këtë kuvend rinor me një fjalë e cila kishte të bënte me standartin e ri të demokracisë, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mbi të gjitha Basaha foli për leksionin e demokracisë që FRPD po i mbante PD dhe gjithë spektrit politik shqiptar.

Një pjesa nga ky “leksion demokracie” që do të mbahet mënd gjatë, ishte dhe fakti se në tërësi kishte më shumë Vota se sa Votues. Në këtë kuvend u vu re fakti se të rinj që ishin pjesë e administrimit të procesit votuan më shumë se një herë. Gojët e liga thonë se kanë parë persona me 10 fletë votimi. Kjo përvec faktit se në brëndësi të ambienteve ku votohej kishte më shumë njerëz sec duhej, anëtarë dhe jo të FRPD, të cilët e kthyen konventën në një pazar të gjësë së gjallë, por nga ato pazaret që ekzistonin në mesjetë. Njerëz që afroheshin dhe kërkonin të votohej numri respektiv në listë, por që nga ana tjetër nuk kishin bërë kurrëfarë lobimi për të siguruar mbështetje. Lindi një histeri masive, aq sa procesin e votimit e vizituan edhe dy turistë kinezë. U fol edhe për fletë që plotësoheshin nëpër makina, por këto mbetën në kuadrin e spekulimit, gjithashtu edhe për blerje vote. Po si mund të blesh vota, në një proces ku vota nuk ka asnjë vlerë, asnjë vlerë… Lulzim Bashën, Kreun e PDSH, e sabotuan sepse ai para të rinjve foli për një sistem vlerash, ndërkohë që vlera nuk kishte. Bashën e bënë demagog, sepse ai mbajti një ligjërim mbi meritokracinë, ndërsa e tradhëtuan sepse vetëm meritë që nuk kishte aty.

Kuvendi u kthye në një teatër të shëmtuar, ku të rinjtë u kthyen në pazarxhi votash, pa e kuptuar se vota aty nuk kishte asnjë vlerë, asnjë vlerë… FRPD pas dështimit në protestat e dhjetorit, dështoi edhe një herë tjetër me sukses në menaxhimin e një procesi zgjedhor. Fillimisht krijoi konfuzion në daljen e listave të para ku emrat e kandidatëve u shpallën sipas rendit alfabetik të mbiemrit, ku kandidatët po shkëmbenin numrat respektivë, u fut në lojë lista e dytë, po me rend alfabetik, por kesaj radhe të emrit. Kandidatët morën pjesë edhe një herë tjetër në shkëmbimin e numrave, por edhe një herë tjetër ata e kuptuan se vota në këtë proces nuk kishte asnjë vlerë, asnjë vlerë… U panë dy lista të dy grupazheve brënda FRPD, të cilët e kishin përgjysmuar listën e Këshillit Kombëtar dhe në një farë mënyre në listën fituese pak, për të mos thënë aspak emra të tjerë jashtë kësaj liste, kanë deportuar. Marveshja ishte e qartë, konsensus me kryetarët e forumeve me peshë dhe të bindurve, për emra që do futeshin pa garë, pra do emëroheshin. Një pjesë tjetër emrash i caktonte direkt Kryetar i FRPDSH, flas këtu për “oborrtarët e partisë”, ose kafexhinjtë. Lista e fituesve e Këshillit Kombëtar të FRPD, krijoi edhe një carje të thellë në përfaqësim. Qytete si Gjirokastra, Tepelena, Malësia e madhe, Kruja, apo dhe Fieri u përfaqësuan pak ose aspak. Ndërkohë që formula nga ana e lidershipit të FRPD duhej të ishte përfaqësim me individë i cdo dege, nga 53 gjithësej sa ka PD në Shqipëri.

E mos mendoni këtu, se nuk e di faktin se pjesë përbërëse e Këshillit Kombëtar janë automatikisht edhe kryetarët e forumeve rinore të 53 degëve. Por as kësaj radhe FRPD nuk iku nga kompleksi i “ushtarëve të mi”. Por spektakli i radhës ndodhi në aktin e fundit, aktin final. Në momentin që u “numëruan” votat. Kryetarë të cilët shtonin vota, ne tabelën përmbledhëse, gjatë kohës që po zbardhin rezultatet. Por ata sërish nuk e kuptuan, se vota nuk kishte asnjë vlerë, asnjë vlerë… Dhe më në fund produkti final doli. U shpall lista fituese pa votat respektive për cdo kandidat. Askush nuk e mori vesh përse humbi dhe askush nuk e mori vesh përse fitoi. Ndodhi ajo c’ka unë kisha frikë se do të ndodhte dhe e paralajmërova që me datën 30 maj, ku publikova shkrimin “Zyrtarisht Kandidat”. Ndodhi ajo, që u shpall lista fituese me rend alfabetik, fatale për një garë, shkatërrimtare për demokracinë, demagogji për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vrastare për ëndrrat e të rinjve që shpenzuan energji, njohje, para dhe kohë.

Thyerja e besimit tek ta ishte një goditje e madhe, që jo domosdoshmërisht duhet t’a marësh kur je në opozitë, aty ku morali prevalon mbi gjithcka tjetër, Por nga kjo “garë” ata dolën më të fortë dhe më të informuar. “Mirë se erdhët në parti”… FRPD kishte shansin të vërtetonte fjalët e Kryetarit Basha, se në këtë forum ka pasur dhe ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rinia demokrate si pararoje e zhvillimeve që priten të ndodhin, duhej të vërtetonte se Lulzim Basha e ka seriozisht dhe beson fort kur kërkon të implementojë në Shqipëri votimin elektronik. Po si mundt të kërkosh votim elektronik për shqiptarët, kur në forumin rinor demokrat vota nuk ka asnjë vlerë, asnjë vlerë… Me këtë shkrim nuk dua të intimidoj asnjë nga fituesit e kësaj liste, sepse jam i bindur që një pjesë e tyre meritojnë shumë më shumë se kaq, por nuk kam se si të mos bëhem zëri i atyre që nuk e dinë se sa vota morën nga këto “zgjedhje”. Por sërish ka shpresë, këtë e kuptova në rrjet. Humbësit e garës për një vend në Këshillin Kombëtar të FRPD, kishin bërë secili nga një status ku të dërrmuar nga kjo “garë”, sërish të keqen e shikonin tek qeveria, krimi, korrupsioni, të fortët, hashashi, koncesionet dhe cmenduritë e Kryeministrit. Këta të rinj e kanë identifikuar pra luftën e tyre, pavarësisht se u lanë jetim dhe jashtë liste.
Është detyrë e forumit që t’i bashkojë rreth vetes dhe të shkojë në betëjën e vërtetë me to. Dhe nuk është nevoja të pyesësh nëse do të ketë apo jo zgjedhje për strukturat e tjera të FRPDSH?! Opozita ndaj Ramës dhe të tijve është detyrë që t’a imponon koha e kolerës që po jetojmë…
Shtuar më 06/06/2016, ora 17:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori