Zgjedhjet e 2013, parakusht për hapjen e negociatave me BE
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu është shprehur sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit se zgjedhjet e 2013-ës janë një parakusht për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Duke folur për progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë Bregu ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga Brukseli deri më datën 20 nëntor.

“Punuam që Plani i Veprimit të kishte oponione të përbashkëta. Propozimi për statusin e BE-së bazohet në meritë. Statusin nuk e merituam dy vite më parë se politika dëmtoi procesin. Plani i veprimit për integrimin do të vijojë të monitorohet prandaj dhe kërkoj nga ju zbatimin e detyrimeve të Planit të Veprimit. Opozita duhet të miratojë ligjin për Gjykatën e Lartë, për nëpunësin Civil dhe reformën parlamentare. Nëse nuk miratohen ligjet nuk ka shanse që në dhjetor këshilli i BE-së të miratojë statusin. Zgjedhjet e 2013-ës janë parakusht për të testuar besueshmërinë e palëve politike. Shqipëria duhet të kthejë besimin tek zgjedhjet parlamentare” tha Bregu.


Ndërsa deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi ka theksuar se kontributi i opozitës në procesin e integrimit është i vyer. “Ju jeni komisare shumë e mire dhe një partiake e thekur. Nuk integrohesh duke e parë të keqen e vendit tek opozita. Mos i lexoni si numra votat tona pasi kontributi ynë është i vyer” iu drejtuar Ruçi ministres Bregu. /albeu.com/
Shtuar më 16/10/2012, ora 13:47

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori